Pas miratimit të Ligjit për prokurorinë publike, që u përshëndet nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, në opinionin vendor mbeten të ndara mendimet për procedurën në të cilën ishte miratuar, por edhe çka mund të mundësojë, Për përfaqësuesit e pushtetit, ai është një hap përpara në proceset reformuese, por edhe në krijimin e kushteve për shtet juridik dhe barazi të të gjithëve para ligjeve.

Për përfaqësuesit e OBRM-PDUKM-së opozitare mbetet kontestuese procedura për miratimin e tij, për shkak se pati një votim të anuluar, ndërsa shpejtimi për miratim, sipas partisë, është tentim për shpëtim të pushtetit nga krimet e kryera.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dje deklaroi se Ligji për prokurorinë publike është miratuar në procedurë adekuate dhe se për shkak të reagimit të deputetëve se nuk u është regjistruar votimi, e ka anuluar dhe ka mundësuar përsëritje të votimit, përderisa për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për këshillin e prokurorëve publikë.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, në fjalimin para qytetarëve të pranishëm në marshin “Ecim për drejtësi”, që u mbajt para kompleksit të gjykatave në Shkup, tha se me miratimin e Ligjit për PP-në është hapur kapitull i ri në reformat e jurisprudencës.

“Shumica e madhe e deputetëve qëndronin pas Ligjit për PP-në i cili është themel i ndërtimit të shtetit juridik të fuqishëm dhe të pavarur efikas. Pas tij qëndronin 80 deputetë, pas tij qëndronin edhe qytetarët dhe ekspertët, pas tij qëndronin miqtë tanë të BE-së dhe SHBA-së. Me këtë ligj u garantua zgjidhje gjyqësore e të gjitha proceseve të filluara gjyqësore në bazë të veprimeve korrekte dhe transparente. Të akuzuarit do të gjykohen në bazë të dëshmive të cilat ishin siguruar përgjatë veprimeve të gjata për çka indikacionet themelore ishin bisedat e përgjuara gjegjësisht bombat”, tha ish kryeministri Zoran Zaev.

Ai theksoi se nuk ka amnisti të fshehur për askënd, as për raste të vjetra, e as për këto raste. Secili që e ka shkelur ligjin, sipas Zaevit do të përballet me përgjegjësinë, gjegjësisht secili që do ta shkelë ligjin do të përballet me përgjegjësinë.

Partia, kryetar i së cilës është ai, konsideron se me miratimin e Ligjit, vazhdojnë angazhimet për drejtësi joselektive dhe shtet juridik.

“Ligji garanton sistem të pavarur të jurisprudencës, por edhe përgjegjësi dhe ndëshkim për të gjithë që e kanë shkelur ligjin. Kjo është një nga bazat për përparim të shtetit drejt BE-së. Shumica e madhe në parlament arriti fitore historike ndaj strukturave kriminele të OBRM-PDUKM-së. Qëllimi i tyre për ta amnistuar krimin partiak dështoi. Nuk patën sukses qëllimet e përmbaruesit Hristian Mickoski për ta shpëtuar nga përgjegjësia shefin e tij Nikolla Gruevski”, thonë nga LSDM.

Nga OBRM-PDUKM, ndërkaq, paralajmëruan se një ekip ekspertësh nga partia po e analizon situatën me miratimin e ligjeve për Prokurorinë publike dhe për Këshillin për prokurorë publik pas çka do të dalë me informatë konkrete për miratimin e tyre jashtë rregullores.

“Grupi i deputetëve të OBRM-PDUKM-së gjatë ditës së djeshme pas votimit në Kuvend reagoi për miratimin e ligjeve konkretisht dhe më saktë për këshillin për prokurorë publikë. Në atë pjesë ekspertët tanë kuridik, ekipi juridik i OBRM-PDUKM-së po shqyrton gjithfarë mundësish, e analizon situatën dhe menjëherë më pas do të dalë me të dhënë konkrete, përkatësisht me parashtresë e cila do t’u parashtrohet institucioneve kompetente për miratimin e këtij ligji përkatësisht për miratimin jashtë Rregullores të këtij ligji, kështu që, menjëherë sapo të dalin me analizën e vet do të parashtrohen edhe parashtresa në institucionet adekuate”, thonë nga OBRM-PDUKM.

Nëse ka qëndrueshmëri juridike, potencojnë nga atje, do të parashtrohet parashtresë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Miratimin e Ligjit për prokurorinë publike e përshëndetën BE-ja, SHBA-ja dhe NATO-ja.