LAJMI I FUNDIT:

Ligji për amnisti nuk mori mbështetje në Kuvend, Lloga thotë se do ta dorëzojë sërish – a do të ketë përçarje në Qeveri?

Ligji për amnisti nuk mori mbështetje në Kuvend, Lloga thotë se do ta dorëzojë sërish – a do të ketë përçarje në Qeveri?

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut dje me shumicë votash refuzoi propozim-ligjin për amnisti, i cili më herët kishte marrë dritë të gjelbër në Qeveri.

66 deputetë votuan “kundër” përfshirë edhe ata të shumicës parlamentare, 17 deputetë votuan “për” ndërsa “të përmbajtur” kishte tre, njofton Telegrafi Maqedoni.


Pasi nuk kaloi në Kuvend ky ligj, menjëherë reagoi ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, që është edhe propozues, i cili tha se “prej atij momenti Maqedonia e Veriut është shtet më i padrejtë”. Ai theksoi se vendimi i djeshëm i shumicës parlamentare, është hakmarrje për mosmbështetjen e ndryshimeve të Kodit Penal nga Aleanca për Shqiptarët.

“Maqedonia e Veriut sot është shtet më i padrejtë se dje, pasi ky është fillimi dhe mbarimi i asaj që ndodhi në Kuvend. Ajo që ndodhi sot edhe e prisnim si hakmarrje për mosvotimin tonë të ndryshimeve të Kodit Penal”, tha Lloga.


Megjithatë, ai njoftoi se sërish do ta dorëzojë ligjin në Kuvend, por kësaj here me procedurë të rregullt, duke shtuar se ai mendon se arsyeja që deputetët kanë votuar “kundër” ka qenë procedura e shkurtuar për miratimin e propozim-ligjit.

“Ajo që thashë në fillim është se ne po ecim përpara. Pra, propozimi nuk u pranua sot, por do ta dorëzoj përsëri ligjin me procedurë të rregullt. Nëse ata duan ‘dejavu’, do të kenë mundësinë të votojnë sërish për këtë çështje. Nëse për peshqit e mëdhenj miratohen ligje brenda natës, atëherë unë kam thënë që në ditën e parë që jam në anën e qytetarëve. Dhe kështu do të veproj deri në ditën e fundit kur do të jem në këtë detyrë”, tha ministri Lloga.

I pyetur nëse kanë qëndrime të kundërta me zv.ministren e Drejtësisë, ai tha se nuk ka një gjë të tillë. Lloga gjithashtu tha se propozim-ligji nuk ka të bëjë me njerëz, por me vepra penale.

“Ky nuk është ligj për faljen e ministrave. Unë kam përgatitur ligj për veprat penale, jo për njerëz. Pyetjet e tilla mund t’i parashtroni për presidentin e vendit, pasi vetëm ai ka të drejtë të falë njerëz, jo edhe ministri i Drejtësisë. Nëse do miratohej ky ligj, atëherë unë do të dilja dhe do të tregoja me emra kush amnistohet. Deri atëherë janë spekulime”, tha Lloga.

A do të shkaktojë përçarje në Qeveri mosmiratimi i propozim-ligjit për amnisti?

Kryeministri Dimitar Kovaçevski mendon se votimi i djeshëm në Kuvend, me të cilin deputetët nuk mbështetën miratimin e propozim-ligjit për amnisti, nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet me Aleancën për Shqiptarët brenda shumicës parlamentare.

Kovaçevski tha se çdo kush ka të drejtë të përdorë të drejtën e tij demokratike dhe të shpreh argumentet e veta, ndërsa ato që kanë të drejtë vote ta përdorin atë në Kuvend.

“Qeveria solli vendim për t’i dhënë mundësi ministrit të Drejtësisë ta arsyetojë ligjin e propozuar para deputetëve, gjë që u bë ditën e djeshme, megjithatë deputetët kanë të drejtë të votojnë në emër të tyre dhe në emër të qytetarëve për ligjet që ofrohen në Kuvend”, tha mes tjerash Kovaçevski, duke shtuar se qëndrime të ndryshme në lidhje me këtë ligj janë vërejtur që nga koha kur është propozuar.

“Motivi i ligjit ishte rifreskimi i burgjeve për shkak të mbushjes së tyre, ndërsa qëndrimi i ministrit të Drejtësisë ishte se kjo mund të bëhet me ligj për amnisti. Por, nga ana tjetër, kishte argumente që thoshin të kundërtën, përkatësisht se ligji i mëparshëm nuk kishte efektet e dëshiruara, duke qenë se pjesa më e madhe e të amnistuarve u dënuan menjëherë për të njëjtat vepra dhe u kthyen në burgje. Dhe së dyti – se janë mbi 2000 të dënuar të rinj në pritje të vuajtjes së dënimit, gjë që praktikisht nuk do të çojë në lehtësimin e burgjeve”, tha Kovaçevski.

Të njëjtën gjë se nuk do të ketë përçarje brenda koalicionit qeveritar, e kanë thënë edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Ministrat e kësaj partie Krenar Lloga, Izet Mexhiti dhe Azir Aliu, dje në takim me gazetarët thanë se nuk do ta lëshojnë Qeverinë. Ata gjithashtu theksuan se në nivel të kryesisë së partisë është sjellë vendim që Aleana për Shqiptarët të shkojë e vetme në zgjedhje, duke e refuzuar kështu ofertën e partive opozitare shqiptare (Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike) që në zgjedhje të bëhen bashkë të gjitha partitë shqiptare kundër BDI-së.

“Është e kotë të diskutohet për një ofertë të tillë kur nuk ka datë konkrete për zgjedhje. Deri atëherë agjenda e partive më të vogla nuk na intereson, ne shkojmë në zgjedhje të pavarur. Ata nuk mund të mbështeten në politikat e të tjerëve në fushatën parazgjedhore”, thanë ministrat e ASH-së në konferencë.

Ndryshe, me propozim-ligjin për amnisti, siç thuhet në shkresën shpjeguese, parashihet lirimi nga vuajtja e dënimit me burg (amnisti) të personave të dënuar me dënim të formës së prerë me burgim për krime të parashikuara nga Kodi Penal ose ligje të tjera, të cilat në ditën e hyrjes në fuqi të me këtë ligj kanë filluar apo nuk kanë filluar vuajtja e dënimit me burg në institucionet e vuajtjes së dënimit në vend dhe personat e dënuar me dënim të formës së prerë me burgim për krime të parapara me ligjet penale të një shteti tjetër nëse kryesi është shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe është duke vuajtur dënimi në vend në bazë të ekzekutimit të aktgjykimit penal të gjykatës së huaj ose ndërkombëtare dhe ai njihet me aktgjykim të gjykatës kompetente në Maqedoninë e Veriut, në pajtim me marrëveshjen ndërkombëtare të ratifikuar në përputhje me Kushtetutën.

Ky propozim-ligj parasheh lirimin plotësisht nga burgu për 286 të dënuar dhe të amnistohen pjesërisht 996. Për momentin dënimin me burg e vuajnë 2114 të dënuar dhe 2813 duhet të futen në burg. Për ata që presin në radhë për të vuajtur dënimin me burg, Ministria e Drejtësisë thekson se do të përcaktohet më tej se sa prej tyre do të përfshihen nga amnistia./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Çfarë përfiton ekonomia e Kosovës me regjistrimin e popullsisë

Çfarë përfiton ekonomia e Kosovës me regjistrimin e popullsisë

Lajme
Parlamentari finlandez, Kiljunen: Për keqardhje mosmbështetja e Serbisë për Kosovën në Këshillin e Evropës

Parlamentari finlandez, Kiljunen: Për keqardhje mosmbështetja e Serbisë për Kosovën në Këshillin e Evropës

Lajme
Arrestohet një serb në Bërnjak, dyshohet se ka kryer krime lufte në Gjakovë

Arrestohet një serb në Bërnjak, dyshohet se ka kryer krime lufte në Gjakovë

Lajme
Mesiq: Vuçiq si Millosheviqi, por “Serbia e Madhe” nuk do të bëhet

Mesiq: Vuçiq si Millosheviqi, por “Serbia e Madhe” nuk do të bëhet

Lajme
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Rama: Problemit të mbeturinave në kryeqytet i erdhi fundi

Rama: Problemit të mbeturinave në kryeqytet i erdhi fundi

Komunat
Kalo në kategori