Kanë kaluar pothuajse tre mijë vjet, por ky parim i lashtë për mikpritjen, respektin dhe drejtësinë vazhdon të ketë një mesazh të fuqishëm edhe për botën moderne

Edhe pse kanë kaluar gati tre mijë vjet që nga krijimi i “Odisesë”, një rregull nga epi i famshëm i Homerit konsiderohet ende çuditërisht aktual. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin “Ligji i Zeusit”, një parim që kishte aq rëndësi në Greqinë e lashtë, sa besohej se shkelja e tij ndëshkohej nga vetë perënditë.


Pikërisht ky motiv ndodhet në qendër të filmit të ri “Odisea” të regjisorit Christopher Nolan, i cili ka shpjeguar se pas shumë ngjarjeve të rrëfimit fshihet një rregull i thjeshtë, por i fuqishëm: ndaj të huajve duhet të sillemi me respekt.

Çfarë ishte në të vërtetë “Ligji i Zeusit”?

Ndryshe nga ligjet e sotme, “Ligji i Zeusit” nuk ishte i shkruar në libra juridikë. Ai përfaqësonte një tërësi rregullash morale nën mbrojtjen e Zeusit, perëndisë supreme të grekëve, dhe lidhej me mikpritjen, respektimin e betimeve, drejtësinë dhe sjelljen ndaj njerëzve të panjohur.

Në qendër të tij ishte koncepti i “ksenisë”, një rregull i shenjtë sipas të cilit nikoqiri duhej t’i ofronte çdo mysafiri ushqim, strehim dhe mbrojtje, pavarësisht se kush ishte apo nga vinte.

Siç ka shpjeguar Christopher Nolan në një intervistë për “Los Angeles Times”, thelbi i këtij parimi mund të përmblidhet me atë që sot e quajmë “rregulli i artë”.

“Është rregulli i artë: sillu me të tjerët ashtu siç dëshiron që ata të sillen me ty. Pjesërisht sepse një njeri i zakonshëm mund të jetë një perëndi e maskuar, por edhe sepse vetëm kështu një shoqëri mund të funksionojë. Njerëzit duhet të udhëtojnë, të tregtojnë dhe shpesh varen nga mirësia e njerëzve krejtësisht të panjohur”, ka thënë Nolan, transmeton Telegrafi.

“Ligji i Zeusit” nga “Odisea”, aktual edhe sot: Rregulli që sillte shpërblim ose ndëshkim nga perënditë telegrafi.com

Edhe mysafirët kishin detyrimet e tyre

Ajo që shumë njerëz nuk e dinë është se “ksenia” nuk e obligonte vetëm nikoqirin. Edhe mysafiri kishte përgjegjësitë e veta.

Nëse ai abuzonte me mikpritjen, qëndronte më gjatë se ç’ishte e hijshme ose tregonte mungesë respekti ndaj nikoqirit, konsiderohej se kishte shkelur një rregull të shenjtë dhe meritonte ndëshkim.

“Keqpërdorimi i këtij rregulli ka pasoja të tmerrshme. Çdo hakmarrje ka çmimin e vet dhe dhuna është shprehja më e drejtpërdrejtë e saj”, ka shpjeguar Nolan.

Pikërisht për këtë arsye, shumë prej ngjarjeve në “Odise” paraqiten si pasoja të respektimit ose shkeljes së këtij ligji të lashtë.

Menelau, simbol i nikoqirit ideal

Një nga shembujt më të mirë të “ksenisë” është mbreti Menelau.

Kur Telemaku mbërrin në Spartë në kërkim të informacioneve për babanë e tij, Odiseun, Menelau e pret me respekt, i ofron ushqim, ndan me të informacione të çmuara dhe në fund e përcjell me dhurata.

Në botën e lashtë greke, pikërisht një sjellje e tillë ndaj mysafirit konsiderohej ideal për t’u ndjekur.

Ciklopi Polifem pagoi një çmim të lartë

Në anën tjetër qëndron Polifemi, një nga shembujt më të njohur negativë në të gjithë rrëfimin.

Në vend që t’i mirëpresë udhëtarët që hyjnë në shpellën e tij, ciklopi i sulmon dhe i ha. Një sjellje e tillë përbënte një nga shkeljet më të rënda të “Ligjit të Zeusit”.

Ndëshkimi vjen shpejt dhe në mënyrë brutale. Odiseu e verbon Polifemin, ndërsa as fakti se ai ishte biri i Poseidonit nuk e shpëton nga pasojat.

Odiseun e shpëtoi një bari i thjeshtë derrash

Një tjetër shembull interesant i respektimit të këtij rregulli është Eumeu, bariu i thjeshtë i derrave, i cili e pret Odiseun kur ky, pas endjeve të gjata, kthehet në shtëpi i maskuar si lypës.

Pa e ditur se kush ishte në të vërtetë mysafiri i tij, Eumeu i ofron ushqim, strehim dhe përkujdesje, pa pritur asgjë në këmbim.

Pikërisht për këtë ai mbetet një nga personazhet më të ndershme dhe më fisnike të eposit.

As mysafirët nuk ishin pa faj

“Odisea” tregon se përgjegjësia nuk binte vetëm mbi nikoqirët.

Kur shokët e Odiseut arrijnë në ishullin e magjistares Kirke, ata presin mikpritje, por më pas e keqpërdorin atë. E teprojnë me ushqimin dhe pijen dhe nuk tregojnë respektin e duhur.

Ndëshkimi i tyre është bërë një nga skenat më të njohura të mitologjisë greke: Kirke i shndërron në derra.

Një mësim mijëravjeçar që mbetet aktual

Një nga shembujt më domethënës të “Ligjit të Zeusit” gjendet që në fillim të rrëfimit, kur Telemaku pranon në shtëpinë e tij një udhëtar të panjohur, i ofron ushqim dhe vetëm më pas e pyet se kush është.

Më vonë zbulohet se mysafiri ishte në të vërtetë perëndesha Atena, e maskuar si njeri i zakonshëm.

Pikërisht për këtë arsye, mesazhi i “Odisesë” mbetet i kuptueshëm edhe për njeriun e sotëm: nuk mund ta dini kurrë se kush qëndron përballë jush, ndaj respekti ndaj të panjohurve është shumë më tepër sesa thjesht mirësjellje.

Për grekët e lashtë, kjo nuk ishte vetëm çështje sjelljeje të mirë, por një rregull që përcaktonte se kush do ta fitonte favorin e perëndive dhe kush do të përballej me ndëshkimin e tyre. /Telegrafi/