LAJMI I FUNDIT:

Librat më të lexuar në Kosovë, më 2018

Librat më të lexuar në Kosovë, më 2018

Mathias Enard, Meik Wiking dhe Paulo Coelho ishin tre autorët e huaj më të lexuar nga kosovarët gjatë vitit 2018, me veprat “Busull”, “Hygge” dhe “Alkimisti”. Ndërsa, nga autorët shqiptarë më i kërkuari vazhdon të jetë Ismail Kadare, me veprën “Kur sunduesit grinden”. Këto vlerësime jepen në bazë të kërkesave që kishin nga lexuesit në libraritë “Buzuku”, “Dukagjini” dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani”.


Në mesin e librave më të kërkuar ishin edhe ata në gjuhën angleze, ndërsa lexuesit më të interesuar për librin del të jenë ata të moshës mesatare 25-40 vjeçare, pa anashkaluar edhe interesimin e grupmoshave të tjera.

Besian Zeneli nga libraria “Buzuku” thotë se viti që lamë pas ka pasur prurje të mëdha të titujve.

“Mathias Enard me tre romanet e tij, ‘Busull’, ‘Zonë’, dhe ‘Qitje e përsosur’, kanë qenë tre romanet më të kërkuar i përket letërsisë, ka thënë ai.

Kurse, Iliriana Hasaj nga libraria “Dukagjini”, shprehet se librat në gjuhën angleze, depërtojnë menjëherë tek lexuesit e apasionuar në vend.

“Në gjuhën shqipe e kisha veçuar librin ‘Hygge’, me këshilla se si danezët e bëjnë një jetë më të mirë. Pastaj libri nga Hetem Ramadani ‘Shëndeti dhe suksesi përmes meditimit’. E, tash së voni, edhe pse është botuar vonë, ‘Presidenti është zhdukur’ nga Bill Clinton dhe James Patterson”, tha ajo.

Sa i përket autorëve shqiptarë, Hasaj thotë se Kadare mbetet i pari, me ç’rast rrëfen se vetëm brenda dy ditëve janë shitur të gjithë ekzemplarët e librit të tij të fundit, “Kur sunduesit grinden”.

“Kisha me e veçu autorin e njohur bashkëkohor japonez, Haruki Murakami, librat e të cilit tek ne, sidomos tek të rinjtë, po lexohen shumë”, shton ajo. “Gjithashtu nga Rhonda Byrne është ‘Sekreti’, një libër i cili na flet për fuqinë e mendimeve tona se si çdo gjë që mendojmë edhe besojmë se do të bëhet, ato realizohen”.

Ndërkaq, drejtori i bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Munish Hyseni thotë se gjatë vitit që e lamë pas, mbi 100 mijë libra janë tërhequr për lexim nga anëtarët e bibliotekës.

Ai thotë se në biblioteka, ndër librat më të kërkuar mbeten lekturat shkollore.

“Tek pjesa e fëmijëve dhe të rinjve, librat më të lexuara janë të Williamsit – një komplet prej disa vëllimesh. Ndërsa, tek të rriturit, po ashtu prinë letërsia e të huajve, apo letërsia botërore siç e quajmë ne, që është Coelho njëri prej më të lexuarve, Dan Brown, dhe ajo që vazhdon me vite të tëra është Daniel Steel dhe Nicola Sparks. Nga letërsia shqipe edhe më tutje Ismail Kadare është më i kërkuari. Por, është një diçka që po ndodhë këto dy vitet e fundit, në mënyrë të veçantë me një autore, një mjeke, specialiste, Brunilda Zllami. Është një prej autoreve që këto dy vite kërkohet shumë”, tha ai.

Krahas kësaj, Hyseni tregon se janë edhe librat e vjetër që vazhdojnë të zgjojnë interesim tek lexuesit kosovarë. E, ndër ta thotë se më i kërkuari mbetet Shekspiri. /KP/