LAJMI I FUNDIT:

Letra e sekretarit amerikan, deklarata e institucioneve të Kosovës për referendumin e Serbisë dhe vendimi për pensionet – top lajmet e javës

Letra e sekretarit amerikan, deklarata e institucioneve të Kosovës për referendumin e Serbisë dhe vendimi për pensionet – top lajmet e javës

Javën që po lëmë pas kryeministri i vendit, Albin Kurti ka pranuar një letër nga Sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony J.Blinken.

Sekretari Blinken ka thënë se marrëdhënia ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës është e rrënjosur në vlerat e përbashkëta demokratike dhe zotimin për Kosovë sovrane dhe të pavarur.


Një ditë më parë shtetet e QUINT-it kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të lejoj OSBE-në të organizojë referendumin e Serbisë në territorin e Kosovës siç ishte praktikuar më herët në procese zgjedhore.

Pas takimit të krerëve të shtetit, me ambasadorët e QUINT-it, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë dalë me deklaratë të përbashkët.

Po javën që po lëmë pas Qeveria e Kosovës në mbledhjen e rregullt të saj ka marr vendim që asnjë pension nuk do të jetë nën 100 euro.

Blinken i shkruan Kurtit: Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar letër nga Sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony J.Blinken.

Sekretari Blinken ka thënë se marrëdhënia ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës është e rrënjosur në vlerat e përbashkëta demokratike dhe zotimin për Kosovë sovrane dhe të pavarur.

Duke i strehuar me zemërgjerësi afganët që janë në pritje të rivendosjes, Kosova po tregon lidership në të cilin Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët mund të mbështeten, ka shkruar Blinken, transmeton Telegrafi.

Ngjashëm, ka thënë ai, vendosja e përbashkët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë e SHBA-së në Kuvajt, vë në pah kapacitetin në rritje të Kosovës për të kontribuuar në sigurinë globale.

“Si mik dhe partner i Kosovës, Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e Presidentit Biden të përcaktuar për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë”, ka shkruar në letër Sekretari Blinken.

Lidhur me raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë, Sekretari Blinken ka thënë se natyra e pazgjidhur e marrëdhënieve mbetet një pengesë e madhe ndaj anëtarësimit dhe integrimit të plotë në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, i cili është një qëllim i përbashkët i Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

“Besojmë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim”, ka shkruar Blinken.

Në letrën drejtuar kryeministrit Kurti, Sekretari Blinken ka thënë se Shtetet e Bashkuara, shpresojnë në lidershipin tuaj personal për rikthimin e momentumit në procesin e dialogut duke i mbështetur zotimet paraprake të vendit tuaj, pastaj duke e nxitur transparencën, duke i shmangur veprimet apo retorikën që mund t’i rrisë tensionet dhe duke u angazhuar në negociata me fokusin, kreativitetin dhe urgjencën e kërkuar.

“Ju inkurajoj që t’i kushtoni vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka shkruar ai.

Mbështetja e vendimeve gjyqësore, në veçanti vendimeve që ndërlidhen me të drejtat e minoriteteve, do të kishte efekt të ngjashëm pozitiv dhe është në harmoni me prioritetet e qeverisë tuaj për fuqizimin e sundimit të ligjit, ka shtuar ai.

“Ju lutemi të punoni ngushtë me Ambasadorin Hovenier dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sepse të dy janë plotësisht të autorizuar për t’i adresuar këto çështje me ju. Të dy janë të përgatitur për t’i diskutuar specifikat me ju dhe ekipin tuaj. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta”, ka përmbyllur letrën dërguar kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Sekretari i shtetit i SHBA-së, Antony S. Blinken.

QUINT-i i bën thirrje Qeverisë së Kosovës të lejojë OSBE-në të organizojë referendumin e Serbisë në Kosovë

Shtetet e QUINT-it po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të lejoj OSBE-në të organizojë referendumin e Serbisë në territorin e Kosovës siç ishte praktikuar më herët në procese zgjedhore.

Një ditë më parë, përmes një komunikate të përbashkët, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se ju vjen keq që Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të mbledh fletëvotimet e serbëve të Kosovës, sipas praktikave të kaluara.

“Vërejmë me keqardhje se Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, këto shtete kanë thënë se “mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë të 16 janarit për ndryshimet kushtetuese si një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve të shtetit të sundimit te ligjit”.

“Ne besojmë se këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE. Ne kemi inkurajuar të gjithë qytetarët  e Serbisë që të marrin pjesë në referendum dhe besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të mund të votojnë në zgjedhje dhe referendume”, thuhet tutje në komunikatë.

Po ashtu, në fund të komunikatës ata u bëjnë thirrje Kosovës e Serbisë të përmbahen nga veprimet dhe retorikat që rrisin tensionet dhe të angazhohen në dialog.

“I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet në komunikatë.

Osmani, Konjufca e Kurti me deklaratë të përbashkët për referendumin e Serbisë në Kosovë

Institucionet e Republikës së Kosovës, në një takim të përbashkët me Ambasadorët e Quint-it dhe përfaqësuesin e BE-së, paraqitën qëndrimin e tyre të koordinuar dhe të përbashkët lidhur me mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Në këtë takim, sipas deklaratës së përbashkët të krerëve të shtetit, “përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”.

“Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e shtetit tonë jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja”, thuhet në deklaratë.

“Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër.

Prandaj, praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021. Aq më tepër kur këto praktika kanë rezultuar vetëm me fuqizimin e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë”, thuhet tutje në këtë deklaratë, raporton Telegrafi.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se “Për më tepër, institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë”.

“Sepse, para se OSBE-ja të bënte mbledhjen e votave, do të mbahej një proces tërësisht ilegal i hapjes së qendrave të votimit e kutive të votimit në territorin e Republikës së Kosovës për një referendum të një shteti tjetër, pra Serbisë, e ky proces do të organizohej nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë. Ashtu siç dëshmohet në letrën e dërguar OSBE-së nga ana e autoriteteve serbe, arsyeja pse Serbia insiston t`i hapë vendvotimet edhe në Kosovë është sepse e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj.

Prandaj edhe dëshiron ta shfrytëzojë referendumin si mjet të shtrimit të sovranitetit të saj mbi Kosovën. Rrjedhimisht, qëndrimi i institucioneve të Kosovës nuk ka fare të bëjë me OSBE-në, por me kundërshtimin e kësaj tendence të vazhdueshme të Serbisë, e cila dëshmon pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës”, sqarohet në deklaratë.

Në fund të deklaratës thuhet se “Institucionet e Kosovës mbesin falënderuese ndaj shteteve të Quint-it dhe të gjitha shteteve të tjera demokratike që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe shprehin mirënjohjen që edhe sot në takim u rikonfirmua mbështetja e tyre ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë”.

“Duke qenë kështu, institucionet e Kosovës i bëjnë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës”.

“Për më tepër, kjo praktikë e Serbisë, që po e ndjekë modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse, duke dëshmuar kështu tendencat e tyre për destabilizim të shpejtë të rajonit tonë dhe zhbërjen e sukseseve që Kosova dhe rajoni i kanë arritur në partneritet me vendet mike demokratike. Mosmbajtja e referendumit serb në territorin sovran të Republikës së Kosovës është hap i duhur në betejën tonë të përbashkët kundër autokracive dhe avansim i praktikave demokratike, përkushtim të cilin Kosova e ka dhënë së fundi edhe në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në fund.

Qeveria me vendim, nuk ka më pensione nën 100 euro

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për rritjen e shumës së skemave pensionale.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se asnjë pension nuk do të jetë nën 100 euro.

“Ne me të marrë mandatin në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike patëm marrë vendim që deri në fund të vitit 2021 asnjë pension të mos ishte nën 100 euro, dhe këtu përfshiheshin katër kategori: pensionet bazike që kishin vlerën 90 euro, pensionet e aftësisë së kufizuar 75 euro, pensioni familjar 90, dhe pensioni inavlidor i punës 90 euro. Pra, kemi aplikuar shtesa për këto kategori që të mos jenë nën 100 euro në kuadër të Pakos së Ringjalljes”, ishte shprehur Murati.

Ministri tha se nga tani e tutje kjo rritje do të jetë e përhershme dhe se këto kategori nuk do të kenë më pension nën 100 euro.

Nga ky muaj pensionet do të dalin në mes të muajit dhe jo në fund, siç ishte më parë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Vetëm edhe një ditë i hapur aplikimi për trajnimin

Vetëm edhe një ditë i hapur aplikimi për trajnimin "Mobile Journalism" në fushën e gazetarisë - në fund shpërblehen më të mirët

Komunat
Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare për Kosovën është disfatë historike për Serbinë?

Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare për Kosovën është disfatë historike për Serbinë?

Lajme
U raportua nga gruaja për dhunë, Inspektorati policor thotë se po e heton drejtorin kundër trafikimit me njerëz në Policinë e Kosovës

U raportua nga gruaja për dhunë, Inspektorati policor thotë se po e heton drejtorin kundër trafikimit me njerëz në Policinë e Kosovës

Elfije Boletini
Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Lajme
U gjuajtën me armë derisa ishin në veturë, detaje nga rasti që ndodhi në Prishtinë

U gjuajtën me armë derisa ishin në veturë, detaje nga rasti që ndodhi në Prishtinë

Kronika e Zezë
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Kalo në kategori