LAJMI I FUNDIT:

Letër Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nga një i padëshiruar

Letër Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nga një i padëshiruar
Ilustrim

Nga: Gjergj Frashëri

Më 24 nëntor 2021, pas mesdite (ora 12:19) më kishte ardhur një email nga sekretaria e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (zonja Vitore Veli), një ftesë volante (pa emër) për pjesëmarrjen time në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike (Tiranë, 25-28 nëntor 2021). Meqenëse nuk dija asgjë më parë se do të bëhej një Kuvend i tillë, absolutisht as dëgjuar dhe as lexuar, madje duke u ndodhur edhe rrugëve nëpër republikën tonë, arrita t’i dërgoj përgjigjen time së nderuarës Akademi. Gjatë paradites së sotme mendova të bezdis edhe gazetën “Panorama” (që e kam për zemër) me lutjen për ta botuar atë. Jo se përgjigjja ime ka rëndësi në mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit, por për korrektesën qytetare që i takon secilit prej nesh. Përgjigjja ime është sa më poshtë:


E nderuar zonja Veli,

Faleminderit për ftesën tuaj të dërguar me email më 24 nëntor 2021, ora 12:19, e cila më gjen të pamundur për t’iu përgjigjur pozitivisht.

Së pari, sinqerisht, ftesa më la shije të hidhur, duke marrë vesh se Kuvendi i sipërpërmendur qenka përgatitur dhe sot fillon. Kjo më duket e pamundur, që megjithëse jetoj në Tiranë dhe Durrës të mos kem dëgjuar për një Kuvend të tillë. Nuk e kuptoj!

Së dyti, do të merrja pjesë pa dyshim, sepse çështjes së albanologjisë, me të cilën jam edukuar në familje, i kam kushtuar tërë jetën brenda dhe jashtë vendit përmes punës dhe botimeve. Por, duke mos pasur absolutisht kurrfarë dijenie për këtë Kuvend, i kam dhënë të drejtë vetes të angazhohem këto ditë me aktivitete të tjera (jashtë Tiranës) në kornizën e dy festave të 28 dhe 29 Nëntorit, ku jam i ftuar për të referuar mbi historinë e trojeve tona në Ballkan (pjesë e albanologjisë) dhe dëmet që i ka bërë dhe po i bëjnë qeveritë e këtij vendi kësaj vlere me përmasa botërore prej vitit 1997.

Së treti, duke parë programin e kumtimeve që më keni dërguar bashkëngjitur, më duhet pa dashje të them, se përkushtimi dhe puna ime për albanologjinë tashmë prej gjysmë shekulli, nuk më lejon që të vij vetëm për të mbushur sallën e institucion it Tuaj gjatë ditëve të Kuvendit. Faleminderit dhe uroj suksese!

Në veçanti vërej se një institucion qendror shtetëror nuk ka legjitimitet qytetarie apo demokracie apo fundja dashurie që e ligjëron, t’i dërgojë ftesë një pjesëmarrësi, disa orë përpara ndodhisë, të cilën e paska paraplanifikuar prej muajsh (apo vitesh). Edhe sipas traditës shqiptare (albanologjike), të ftosh dikë të marrë pjesë në Kuvend apo në dasmë, nëse vërtet e dëshiron ta ketë në ndodhi atë, duhet të bësh një sjellje më tradicionale, madje sot edhe diçka më europiane.

* * *

E nderuara Akademi e Shkencave të Republikës së Shqipërisë!

Me shkaktuat dhimbje me këtë lloj ftese formale mbi albanologjinë në Republikën tonë, mbushur me mospërfillje ndaj njerëzve të punës në këtë vend jo vetëm qytetar, por edhe atdhetar, për të mos thënë më shumë. Sa shumë i nderoni të huajt në çështjen e albanologjisë dhe sa pak kërkoni nga vendasit shqiptarë. Nuk besoj se ju ka mbetur hatri nga sugjerimet e mia kritike që ju kam drejtuar për t’iu ndihmuar në drejtimin tuaj shkencor dhe atdhetar. Me këtë rast dua të risjell në vëmendje edhe një herë ato që kam parashtruar vullnetarisht për hartimin e veprës akademike që kini propaganduar ndërkohë mbi “Rishikimin e historisë së shqiptarëve”. Pyes, a do sqarohen së fundi në këtë Kuvend çështjet themelore të albanologjisë sa më poshtë:

  1. a) Çfarë domethënë pellazgë dhe çfarë domethënë ilirë dhe ku ndodhet Pellazgjia dhe ku ndodhet Ilir-ia, në kohë dhe hapësirë?
  2. b) Çfarë do të thotë ilir dhe çfarë do të thotë epir-ot dhe ku ndodhet Ilir-ia në të njëjtën kohë që përmendet në dokumente edhe Epir?
  3. c) Çfarë do të thotë Alba-nía dhe çfarë do të thotë Epir-i në antikitet dhe në Mesjetë deri në shekullin 15 (të Skënderbeut)?
  4. d) Çfarë do të thotë Alba-nia, Epir-i dhe Shqipëri-a në Kohën e Re (mesjetën e vonë shek. 16-19)?
  5. e) Është Albanologjia për botën e huaj, e njëjtë me Shqipologjinë (Shqiptarologjinë) për viset tona historike në Ballkan?

Këto janë çështje aktualisht të hapura prej studimeve të derisotme romantike të Albanologjisë brenda viseve tona shqiptare në Ballkan. Ato i paraqesin të pazgjidhura edhe bërthamat albanologjike evropiane e më gjerë, përveç infrastrukturave institucionale të huaja që “kursehen” të thonë të vërtetën e zbuluar prej tyre mbi këtë çështje për arsye të ndryshme. Të mos harrojmë, se këto janë argumente themelore për lashtësinë e ekzistencës sonë kombëtare albanologjike (shqipologjike). Na takon neve shqiptarëve t’i zgjidhim këto pyetje të hapura dhe t’i paraqesim me argumente, duke i bindur të tjerët në Kuvendet tona shkencore në Tiranë, në Prishtinë dhe më tej. Me të tilla argumente mbrohet atdheu i shqiptarëve në Ballkan që na ka mbetur prej origjinës sonë, i cili sot është parceluar, i ndarë shtetërisht në pesë ngastra në Ballkan.

Më vjen keq, e nderuar Akademia jonë, por nuk zgjidhet kjo e vërtetë reale historike me “besnikë” të mbështjellë më çarçafin dhe qefinin e pushtetit të sotëm të Republikës së Shqipërisë. As edhe me rekrutë shkencorë province të uritur të Shtetit të kësaj Republike. Një pjesë e ushtarëve që keni thirrur për të kumtuar në këtë Kuvend (siç e shoh nga programi juaj që më kini dërguar), janë shpifës që zbatojnë urdhrat tuaja, ndërsa jo pak, të ashtuquajtur “shkencëtarë të famshëm” – janë plagjiatë që vjedhin punën intelektuale shkencore të tjetrit (si ata që vjedhin toka me ligjin 7501), pra, që vjedhin të drejtën e autorit, punonjës të institucioneve shtetërore, të cilët personalisht i kam paditur në Gjykatë.

E vetmja ndjenjë entuziaste është pjesëmarrja e Akademisë së Kosovës – ndjenjë optimizmi! Nuk më mbetet veç t’i uroj Kuvendit të Shkencave të Republikës së Shqipërisë në Tiranë bashkë me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, punë të mbarë!