Leposaviq, ndalohet automjeti me 600 kg djathë e mallra të tjerë të kontrabanduar

Të martën, rreth orës 16:30, Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë zbatimit të një plani operativ në rajonin e Leposaviqit, në fshatin Junake, kanë ndaluar një automjet që kishte hyrë në territorin e Republikës së Kosovës përmes vijës së gjelbër / rrugëve të paautorizuara.
Në njoftimin e Doganës së Kosovës thuhet se, gjatë kontrollit të automjetit është konstatuar se transportoheshin rreth 600 kg djathë, veshmbatje tekstili dhe medikamente, me vlerë të përafërt rreth 7,000 euro.
"Malli është sekuestruar dhe procedurat ligjore janë iniciuar sipas kompetencave të Doganës së Kosovës", bëhet e ditur në njoftim.
Më tej, thuhet se rasti po trajtohet në koordinim me organet hetimore për të përcaktuar të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë e mundshme.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të ligjshëm përmes veprimeve të koordinuara me institucionet e sigurisë. /Telegrafi/




















































