LAJMI I FUNDIT:

“Her Legacy” – përkthehet anglisht “Vepra e saj”, botuar nga “Dukagjini”

“Her Legacy” – përkthehet anglisht “Vepra e saj”, botuar nga “Dukagjini”

Gratë kanë qenë, pa dyshim, pjesë e rëndësishme e fushave të ndryshme në art dhe shkencë, në Kosovë, por, megjithatë, të pakta ishin biografitë e monografitë për to.

Para tre vjetësh, Shtëpia Botuese “Dukagjini” botoi librin “Vepra e saj”, me autore Alketa Xhafa-Mripa.


“Vepra e saj” është libër që tregon historitë e grave pioniere në profesione të ndryshme, të cilat thyen tabu e stigma të kohës dhe u hapën rrugën profesionisteve të ardhshme. Ato, me vullnetin dhe profesionalizmin e tyre, arritën të thyejnë barrierat e kohës.

Ky libër nuk është vetëm rikujtim në kujtesë i këtyre grave, por më shumë vlerësim i kontributit të jashtëzakonshëm. Autorja vlerëson ato që, në një mënyrë, i paraprinë suksesit të saj përmes sukseseve të tyre.

Këtë e bën përmes 100 rrëfimeve sa emocionuese, aq edhe të jashtëzakonshme të 100 grave që luftuan stereotipe të ndryshme për t’i realizuar qëllimet e tyre.

Këto histori tashmë mund të lexohen edhe në gjuhën angleze, përkthyer nga Fatos Berisha.

Libri “Her Legacy” u botua më 8 mars 2024 për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, dedikim nga Shtëpia Botuese “Dukagjini” për gratë.

Librin mund ta gjeni në librarinë “Dukagjini” dhe përmes rrjetit të shpërndarjes edhe në libraritë e tjera. /Telegrafi/