Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar aderimin e Gjeneral Major Gëzim Hazrollit, një nga figurat më të shquara të mbrojtjes kombëtare të Kosovës.

Me mbi tre dekada karrierë ushtarake, Hazrolli ka shërbyer si Komandant i Brigadës 123 të UÇK-së gjatë luftës, duke udhëhequr me përgjegjësi dhe sakrificë. Pas përfundimit të konfliktit, ai ka luajtur rol kyç në ngritjen e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës dhe më pas të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke kontribuar në modernizimin dhe profesionalizimin e ushtrisë së vendit.


Gjeneral Hazrolli ka përfunduar trajnime në institucionet më prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë Royal College of Defence Studies në Londër, Marshall Center në Garmisch dhe programe ekzekutive në Monterey, California. Për shërbimin e tij, Republika e Kosovës e ka nderuar me Medaljen Presidenciale Ushtarake, Medaljen për Shërbime të Shquara dhe Medaljen e Karrierës.

Nëpërmjet një komunikate, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se aderimi i Hazrollit përçon mesazhin e qartë se “njerëzit e shtetit po kthehen në politikë, duke sjellë eksperiencën dhe disiplinën e tyre në shërbim të zhvillimit të institucioneve dhe stabilitetit të vendit”. /Telegrafi/