Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka zyrtarizuar kandidaturën e Shaip Surdullit për kryetar të Komunës së Kamenicës në zgjedhjet lokale të këtij viti. Vendimi është marrë pas konsultimeve me strukturat lokale dhe është konfirmuar nga dega e partisë në këtë komunë.

Në njoftimin zyrtar, LDK thekson se këto zgjedhje janë një mundësi për qytetarët që të “rikthejnë dinjitetin dhe zhvillimin në komunën e tyre”, përmes një qeverisjeje të përgjegjshme dhe një platforme të qartë politike.


Përveç kandidaturës së Surdullit, partia ka emëruar Jeton Biqkajn – kryetarin aktual të degës – si bartës të listës për Asamblenë Komunale.

“Këto vendime përfaqësojnë unitetin dhe përkushtimin e strukturës sonë për të sjellë ndryshim në Kamenicë,” thuhet në njoftimin e LDK-së, që thekson angazhimin për një fitore të sigurt në këtë komunë.

LDK ka paralajmëruar një ofertë programore të detajuar dhe angazhim të pakompromis në fushatë, duke shprehur besimin se me mbështetjen e qytetarëve do të rikthehet si forca kryesore politike në Kamenicë.