Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj qëndrimit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, duke shprehur shqetësim për mënyrën se si kjo organizatë ka trajtuar kritikat e ngritura ndaj medias.

Në reagimin për media, LDK thekson se liria e medias dhe liria e shprehjes janë vlera themelore në një shoqëri demokratike dhe se ato duhet të bashkëjetojnë me debatin publik dhe kritikën.


“Liria e medias është e shenjtë. Por edhe liria për ta kritikuar median është po aq e shenjtë”, thuhet në reagimin e partisë.

Sipas LDK-së, është shqetësuese që AGK-ja, në vend që të trajtojë me seriozitet shqetësimet e ngritura për standardin profesional dhe përgjegjësinë publike në media, ka zgjedhur të përdorë etiketime politike.

“Është e papritur që një organizatë profesionale si AGK të përdorë gjuhë dhe referenca që i përkasin debatit politik, përfshirë edhe përqindjet elektorale. AGK nuk është subjekt politik dhe nuk i takon të bëjë vlerësime të tilla”, thuhet në reagim.

LDK thekson se kritika e saj nuk është drejtuar ndaj mediave si institucione dhe as ndaj gazetarëve profesionistë, por ndaj fenomeneve që sipas saj dëmtojnë standardet profesionale dhe besimin publik.

“Reagimi ynë ishte, është dhe do të mbetet ndaj fenomeneve të dëmshme brenda medias që devijojnë nga standardet profesionale dhe dëmtojnë besimin publik duke nxitur shpifjen”, thuhet më tej në reagim.

Në fund, LDK rithekson përkushtimin për mbrojtjen e lirisë së medias dhe të lirisë së shprehjes, duke kërkuar që edhe organizatat profesionale të veprojnë me të njëjtin standard përgjegjësie dhe paanshmërie në debatin publik.

Ndryshe, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar ashpër gjuhën e përsëritur akuzuese të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë.

Abdixhiku në një intervistë televizive mbrëmë ka folur prapë për “mercenarë medial” duke thënë se “shumë lehtë japin një shpifje, papërgjegjësi, vetëm se ju rritet atje llogaria bankare prej sponsorizuesve, kundërshtarëve të ndryshëm”./Telegrafi/