LAJMI I FUNDIT:

Lancia dëshiron të imitojë Mercedesin, por jo të konkurrojë me veturën gjermane

Lancia dëshiron të imitojë Mercedesin, por jo të konkurrojë me veturën gjermane

Prodhuesi italian po përgatitet për një rilindje me tre modelet e reja të paralajmëruara në vitet e ardhshme.

Lancia ka vite që është në treg me vetëm një automjet në gamë, modelin Ypsilon, por kjo mund të ndryshojë së shpejti.


Përkatësisht, përkundër vështirësive të shumta, përfshirë edhe pandeminë COVID-19, Lancia arriti rritje të shitjeve në vitin 2020. Kjo është arsyeja pse gjigandi i ri i automobilave Stellantis vendosi të përgatisë një ringjallje për këtë markë legjendare, gjë që u konfirmua në qershor nga Carlos Tavares, drejtori ekzekutiv i Stellantis.

Lancia, së bashku me Alfa Romeo dhe DS, formuan një grup premium midis 14 markave Stellantis. Përshtatja e kostove të kërkimit dhe zhvillimit do t’u lejojë këtyre prodhuesve të veturave të avancojnë në aspektin e cilësisë dhe pajisjeve, duke ndihmuar Lancia të afrohet me prodhuesit tradicionalë premium si Mercedes-Benz.

Ndryshe nga Alfa Romeo dhe DS, të cilat janë ende marka botërore, Lancia është reduktuar në tregun italian vitet e fundit. Megjithatë, nga viti 2024, ajo planifikon të zgjerohet në të gjithë Evropën, fillimisht në Gjermani dhe Francë, dhe më pas në Spanjë, Belgjikë, Austri dhe vendet nordike.

Kreu i markës italiane tha se megjithëse sasitë e automjeteve të shitura janë të rëndësishme, synimet kryesore të vendosura kanë të bëjnë me përfitimin. Synimi fillestar është që rreth 25-30 për qind e shitjeve të realizohen jashtë Italisë dhe në fund kjo pjesë të arrijë në 50 për qind më të balancuar.

Qëllimi është gjithashtu hapja e 100 pikave në 60 qytete evropiane, me theks në shitjet online.

Ri-lansimi i markës do të fillojë me Ypsilon tërësisht të ri, i cili duhet të mbërrijë në vitin 2024 në një version thjesht elektrik dhe hibrid.

Në vitin 2026, Lancia do të prezantojë një crossover elektrik që thuhet se do të rikthejë emrin Aurelia në gamë. Më në fund, Delta e rilindur në formën e një hatchback kompakt plotësisht elektrik do të pasojë në 2027 ose 2028.

Ashtu si markat e tjera Stellantis, Lancia i është dhënë 10 vjet për të provuar se është e qëndrueshme dhe fitimprurëse, duke siguruar kështu vendin e saj për atë grup automobilistik. /Telegrafi/