Lamborghini ka përgatitur një version të veçantë të modelit Revuelto Impavido, i cili do të jetë i disponueshëm vetëm për blerësit në Japoni. Seria e kufizuar është krijuar për të shënuar 25-vjetorin e pranisë së markës italiane në tregun japonez dhe do të prodhohet në vetëm 25 ekzemplarë.

Modeli i ri është frymëzuar nga Bushido, kodi tradicional i nderit të samurajëve japonezë, i cili lidhet me guximin, disiplinën dhe vendosmërinë.


Dizajni i jashtëm i makinës merr elemente nga armaturat e samurajëve, me linja të theksuara dhe detaje dekorative në ngjyrë ari që shtrihen në kapak, çati, pjesën e pasme dhe parakolp.

Në pjesën e përparme të makinës është përdorur një motiv i frymëzuar nga maedate, stema dekorative që vendosej në helmetat e samurajëve, ndërsa disa elemente të karrocerisë kujtojnë strukturën e armaturave tradicionale japoneze.

Blerësit do të mund të zgjedhin mes katër kombinimeve të veçanta të ngjyrave: Verde Campus, Grigio Artis Lucido, Grigio Crater Matt dhe Rosso Pyra.

Çdo automjet do të ketë edhe detaje ekskluzive në kabinë, përfshirë lëkurë Nero Ade, qepje të personalizuara, simbolin e samurajit dhe një pllakë prej fibrash karboni me numër individual nga 1 deri në 25.

Revuelto Impavido ruan sistemin hibrid të modelit standard, me motorin V12 6.5 litra të kombinuar me tre motorë elektrikë, duke prodhuar gjithsej rreth 1001 kuaj/fuqi. Lamborghini nuk ka zbuluar çmimin, por modeli pritet të jetë edhe më ekskluziv për shkak të prodhimit shumë të kufizuar.

Me këtë edicion special, Lamborghini synon të bashkojë teknologjinë italiane të superveturave me simbolikën dhe traditën japoneze, duke krijuar një model unik për koleksionistët. /Telegrafi/