LAJMI I FUNDIT:

Lagaterë

Lagaterë

Në fëmijërinë time të largët, me shokët luaja, ndër të tjera, një lojë që quhej “lagaterë”, me një petë guri të lagur nga njëra anë, të cilën secili nga ne e hidhte lart duke e rrotulluar e duke kërkuar me zë të lartë që ajo të binte përtokë nga ana e lagur ose nga ana e terur dhe, sigurisht, fitonte nëse binte nga ana që kishte zgjedhur ai.

Vonë, kur nisa të shfletoja fjalorët e t’i shihja me syrin e përkthyesit, “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (Tiranë, 1980) më mësoi se “lagaterë”, ky emër, sipas gjasës, me prejardhje nga bashkimi i rrënjëve të foljeve “lag” dhe “ter”, ka kuptimin “mot i paqëndrueshëm, herë me shi e herë me diell”, kurse si mbiemër ka kuptimin “me dy faqe a dy fytyra, shtiracak, hipokrit”.


Ende më kujtohet se si një ditë, tek përktheja një tekst letrar nga shqipja në frëngjishte, hasa në shprehjen shqipe, paksa raciste, “po martohen jevgjit” (që thuhet kur njëkohësisht bie shi e ka diell), d.m.th. “egjiptianët” (siç duhet thënë e shkruar sot). Dhashë e mora me koleget e kolegët, por nuk po e gjenim që nuk po e gjenim dot shprehjen e barasvlershme në gjuhën frënge. Shumë vite më vonë, tek shfletoja fjalorin “Le Grand Robert”, rashë krejt rastësisht te shprehja “C’est le diable qui marie sa fille et bat sa femme”, d.m.th. “Djalli po marton të bijën e po rreh të shoqen”, që përdoret në Francë sa herë që kemi mot të lagatershëm, pra, sa herë që bie shi e ndrit dielli njëkohësisht.

Moti i paqëndrueshëm, herë me diell e herë me shi gati njëkohësisht, i këtyre javëve të fundit, më solli detyrimisht në mendje fjalën “lagaterë” dhe, sidomos mënyrën se si ne, shqiptarët, dhe se si ata, francezët, e ilustrojmë këtë dukuri. Duke lënë mënjanë racizmin e sipërfaqshëm të shprehjes sonë, nuk e di se ç’më ndodhi, por seksizmin e dhunshëm të shprehjes frënge e lidha me realitetin e politikës sonë egërsisht konfliktuale. Ja, pra, këndvështrimi im më i hollësishëm në këtë pikë:

Të shumtë janë në Shqipëri djajtë që i kanë martuar dhe i martojnë bijat e tyre me bujë e bubullima gazi e hareje, ndërkohë që engjëjt, në paçin mbetur ende të tillë në vendin tonë të shquar e të shqyer shqiptarisht, heshtin ose qajnë fshehurazi kur i martojnë fëmijët me varfërinë, dëshpërimin e mërgimin. Të panumërt janë në Shqipëri djajtë që i kanë rrahur e i rrahin gratë e tyre jo vetëm nga xhelozia apo nga streset e shumta, por edhe për sadizëm, për sport e për zbavitje. Gjithsesi, disa syresh, të racës homo politicus, i kanë rrahur e i rrahin sepse shëndeti i tyre mendor është goditur rëndë nga sëmundje të tilla si skizofrenia, paranoja apo psikoza paranoide, sepse ata vuajnë nga çrregullime të pakthyeshme të personalitetit meqenëse ende nuk kanë kapërcyer disa komplekse të fëmijërisë së hershme si, për shembull, të famshmin kompleks të Edipit, ose që, siç e saktëson Frojdi, ende ruajnë në pavetëdijen e tyre gjurmët e pashlyeshme të moskapërcimit të stadit anal të zhvillimit të seksualitetit (me pasojë mungesën e theksuar të empatisë të shoqëruar nganjëherë me koprofili ose skatofagi) etj.

Mirëpo, kur gjithë këtyre faktorëve u bashkëngjitet e tmerrshmja sindromë e hubrisit, e quajtur ndryshe sëmundja e pushtetit, atëherë rrahja mund të kthehet në torturë sistematike, e cila mund të shpjerë deri në vrasje. Po, po, të nderuara lexuese dhe lexues të nderuar të kësaj rubrike, deri në vrasje, sepse djajtë apo, më saktë, kryedjajtë, si përfundim, humbin ndjenjën e realitetit, nuk pranojnë as më të voglën vërejtje nga të tjerët, bëjnë veprime impulsive të paparashikueshme, fiksohen pas imazhit të vetvetes, abuzojnë haptas me pushtetin që gëzojnë, ngaqë, me sa duket, pandehin se janë të pagabueshëm e ndoshta të pavdekshëm.

Së fundi, në pastë midis lexueseve e lexuesve të mi aspak shtiracakë ndonjë që është tronditur nga sa më sipër dhe nuk më beson, le të lundrojë në internet dhe do të bindet se radhët e mësipërme nuk janë fryt i imagjinatës sime të shthurur, por rezultat i hulumtimeve serioze të një numri psikanalistësh me emër nëpër botë.