Lady Gaga po e shijon në maksimum suksesin e saj pas përfundimit të koncertit madhështor në O2 Arena, në kuadër të turneut botëror “Mayhem Ball”.

Këngëtarja 39-vjeçare u pa në Londër në një dalje romantike me të fejuarin e saj, sipërmarrësin amerikan Michael Polansky, 42 vjeç. Dyshja morën me qira një bar luksoz koktejesh në Mayfair, duke siguruar “privatësi të plotë” për mbrëmjen e tyre intime.


Gaga, e njohur për stilin e saj unik dhe ekstravagant, u shfaq me një fustan transparent Gucci me pupla dhe logon e markës, të kombinuar me taka të larta të zeza dhe aksesorë elegantë, shkruan DailyMail.

Michael zgjodhi një pamje më klasike, me një pallto blu të errët, ndërsa të dy u panë duke dalë nga lokali në orën 1 të mëngjesit, pavarësisht erërave të forta që kishin përfshirë Londrën.

Mbrëmja erdhi menjëherë pas përfundimit të serisë së koncerteve të Gagës në kryeqytetin britanik, të cilat kritikët i kanë cilësuar si “koncerti i vitit”.

Performanca e saj përfshiu 29 nga hitet më të njohura, me skenografi mbresëlënëse, kostume të sofistikuara dhe një energji të veçantë që elektrizoi publikun.

Shfaqja “Mayhem Ball” ka marrë vlerësime të larta nga mediat ndërkombëtare. The Telegraph e përshkroi si “më të arriturën dhe më koherenten në karrierën e saj”, ndërsa The Independent e cilësoi Gagën si “më origjinalen dhe më të mirën në teatrin e muzikës pop”.

Pas suksesit në Londër, Lady Gaga do të vazhdojë me koncertet në Mançester dhe më pas në qytete të tjera evropiane si Stokholm, Milano dhe Paris, përpara se ta mbyllë vitin me shfaqje në Australi dhe Japoni. /Telegrafi/