“Ky bostan ka zemër, e Albin Kurti ia ka hëngër” – qytetari proteston para Kuvendit të Kosovës
Një protestë e pazakontë është mbajtur sot para Kuvendit të Kosovës nga qytetari Agim Pllashniku, i cili njëherësh është edhe veteran lufte.
I frustruar me moskonstituimin e Kuvendit dhe zhvillimet politike të fundit, ai ka shprehur pakënaqësinë e tij me një performancë simbolike duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Pllashniku para mediave deklaroi se ka sjellë ujë të bekuar nga hoxhallarë në Shqipëri, me të cilin ai synonte të stërpikë objektin e Kuvendit, në shenjë proteste.
“O popull, a e dini ju çka ju ka rrejt Albin Kurti për bashkimin kombëtar? Mas pari ju ka rrejt për këtë bostanin e Shqipërisë, se ai po e han bostanin e Greqisë. Ato që ka premtu duhet me i realizu… këtë ujë e kam marrë te kalaja te hoxhallarët e Shqipërisë dhe duhet me stërpik Kuvendin”, u shpreh ai.
Duke ironizuar me dështimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Pllashniku shtoi: “Albulena as në seancën e 100 nuk ka me u zgjedh. Në seancën e 100 kam me shku te sheh Ruzhdia, e në seancën e 150 të popi. Po e stërpiki Kuvendin, por po e pi pak se mandej thonë uji i helmuar”.
Ai u shpreh gjithashtu se ndjen keqardhje për rolin që sipas tij po luajnë edhe mediat në raportimin e situatës politike, duke akuzuar Kurtin për, siç tha, "shkatërrimin e popullit dhe të mediave".
Në fund, qytetari la një shishe me ujë para hyrjes së Kuvendit, duke thënë se shpreson që dikush t’ia dërgojë atë kryeministrit Kurti.
Ai po ashtu lexoi dy emra, si kandidat adekuat për kryetar të Kuvendit: “Kandidatja e parë është gruaja e Rexhep Selimit. Kandidati i dytë është djali i Jakup Krasniqit – Altin Jakupi. Nëse ke zemër, Albin Kurti, propozoji këta për kryetar të Kuvendit”. /Telegrafi/

































