Mysafirë në ”Bukë e kripë e zemërbardhë”, edicionin e parë të festivalit të gastronomisë i cili do të mbahet me 13 dhe 14 Korrik në sheshin ”Zahir Pjaziti” në Prishtinë, do të jenë kuzhinierët e njohur shqiptarë Emine Muharremi, Gezim Musliaka, Artan Berisha, Lulzim Zhubi dhe Nik Panxha.

Kuzhinierja Emine Muharremi nga Mitrovica, tashmë është emër i njohur në artin e gatimit në Turqi ku jeton dhe zhvillon veprimtarinë e saj. Qysh në moshë të re ka treguar pasion për kuzhinën, profesion të cilin e ka përvetësuar me trajnime të ndryshme si ”Art of Sugar” dhe shkolla e gastronomisë ”Chef Academy” në Ankara. Në vitin 2009 ka fituar medaljen e artë në Konkursin e Gastronomisë në Traki që u mbajt në qytetin Edrene, ndërsa këtë vit e ka formuar edhe “Shoqatën e Solidarizimit të Kuzhinierëve Shqiptarë” me të cilën së shpejti do t’i prezantojë në Turqi ushqimet e shijshme nga kuzhina e pasur shqiptare.

Inxhinier Mekanik Teknolog i diplomuar i cili pasion ka pikturën, artin, muzikën dhe udhëtimin, Gëzim Musliaka kuzhinieri i njohur nga Tirana, natyrshëm gjeti vetën e tij në botën e kulinarisë në fshat, pasi u larguar nga rutina e qytetit dhe punës në zyrë. Duke ndjekur hapat e mjeshtrit të madh italian të kuzhinës Gualtiero Marchesit, në vitin 2012 Gëzim hapi restorantin e tij të cilin e emëroi “Gourmet Restaurant Marchesi” për ndër të mësuesit të tij. Sot, ky restorant është një ndër më të vizituarit në Shqipëri nga turist të vendeve të ndryshme, si dhe njerëz të rëndësishëm të kulturës, artit, biznesit dhe politikës.

Mysafirë në ”Bukë e kripë e zemërbardhë”, është edhe kuzhinieri i njohur Lulzim Zhubi. Shkollën profesionale për hoteleri e ka përfunduar në qytetin e Zagrebit në Kroaci, ku është licencuar për ushtrim të veprimtarisë së pavarur hoteliere. Më vonë është kthyer në Prishtinë ku ka hapur një ndër kafenetë e para në vend të quajtur ”Lido”, ndërsa në vitin 1997 ka hapur restorantin ”Tiffany” i cili edhe pse u shkatërrua plotësisht gjatë luftës, funksionon edhe sot me ofrimin e recetave dhe gatimeve mbarëkombëtare shqiptare. Ai vazhdon hulumtimin dhe sjelljen e pjatave të gatimeve tradicionale në mënyrë autodidakte, por edhe i jep rëndësi të veçantë hulumtimit të metodave të përpunimit ushqimor.

Së fundmi, pjesë e programit do të jetë Nik Panxha, kuzhinieri nga Prishtina me përvojë 25 vjeçare në hotele ekskluzive të Londrës si Savoy, Dorchester e Mandarin Hotel. Gjithashtu, ka punuar edhe në klube ekskluzive private në Londër si në SohoHouse dhe Farmer’s Club. Dy vitet e fundit punon në njërën nga shkollat private më të njohura të Zvicrës Le Rosey, ku mëson nxënësit të gatuajnë dhe po ashtu është pjesë e ekipit që përgatit ushqimin për 500 persona brenda shkollës, si dhe është krijuesi i faqes së popullarizuar të Facebookut, BarkuPlot, ku rregullisht poston pjata dhe demonstrime të ndryshme të përgatitjes se ushqimit.

artikull i sponsorizuar