Kuzhina Qendrore e kryeqytetit ka mohuar zërat se gjenden në krizë financiare.

Në reagimin e tyre thuhet se disa kontrata që janë ndërprerë kanë të bëjnë ekskluzivisht me detyra specifike, të lidhura me shërbimin e përkohshëm të ushqimit, transmeton Telegrafi.


"Në lidhje me disa raportime publike për ndërprerje të kontratave të punës në Ndërmarrjen tonë, dëshirojmë të ofrojmë një sqarim zyrtar për të informuar drejt opinionin publik. Përfundimi i disa kontratave të punës ka të bëjë ekskluzivisht me kontrata për detyra specifike, të lidhura me shërbimin e përkohshëm të ushqimit në kuadër të projektit të mësimit të zgjatur në disa shkolla të Prishtinës. Këta punonjës janë angazhuar vetëm për këtë qëllim specifik dhe jo në funksion të aktiviteteve të përhershme të ndërmarrjes", thuhet në reagimin e tyre.

Ata theksojnë se gjendja financiare aktuale e NPL “Ku’zina” Sh.A është stabile dhe ndërmarrja është duke funksionuar me kapacitet të plotë, pa asnjë pengesë në ofrimin e shërbimeve të rregullta ushqimore për qytetarët.

"Sot, jemi në një fazë pune të avancuar dhe NPL “Ku’zina” Sh.A ka filluar përgatitjet për përmirësimin e mëtejmë të shërbimeve, me fokus në pasurimin dhe diversifikimin e shujtave ushqimore, në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe standardet më të larta të sigurisë ushqimore. Faleminderit për mirëkuptimin dhe përkrahjen e vazhdueshme", vijon reagimi.

Ndryshe, sot asamblisti i PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri deklaroi se Kuzhina Qendrore gjendet në krizë financiare. /Telegrafi/