LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi refuzon Raportin Vjetor të drejtorit të ACC-së, reagon Sindikata e Punëtorëve

Kuvendi refuzon Raportin Vjetor të drejtorit të ACC-së, reagon Sindikata e Punëtorëve

Kuvendi ka refuzuar Raportin vjetor të drejtorit Bujar Ejupi të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (ACC) për vitin 2021 me 57 vota kundër dhe 4 abstenime.

Ky është raporti i dytë vjetor me radhë që i refuzohet drejtorit Bujar Ejupi nga Kuvendi.


SPAAC falënderon deputetët e Kuvendit të Kosovës për angazhimin dhe mirëkuptimin e tyre që të kuptojnë më për së afërmi veprimet e dëmshme të Drejtorit Ejupi të cilat i kanë sjell dëm të pariparueshëm sektorit të aviacionit civil të Kosovës.

Sipas Sindikatës së Punëtorëve, Raporti Vjetor 2021 i AAC-së është raport i dështimeve të drejtorit në të cilin ka fshehur të gjitha shkeljet profesionale dhe përndjekjen e vazhdueshme të stafit, prandaj edhe e ka marrë votën meritore nga Kuvendi.

“Si për koincidencë kjo ndodhi sot, më 8 mars 2023 mbase si përgjigje ndaj Ejupit i cili vazhdimisht ka preferuar që autoritetin e tij ta shfaq ndaj grave profesioniste në këtë institucion duke i përjashtuar nga puna e ndëshkuar pa bazë dhe ushtruar dhunë psikologjike në mënyrë sistematike ndaj tyre për çka ato kanë dorëzuar peticion në Kuvend”, thuhet në reagim.

Ky refuzim i Raportit të Drejtorit Ejupi nga Kuvendi vjen pas refuzimit që ia ka bërë më parë Bordi Mbikëqyrës i AAC-së, Komisioni për Buxhet dhe Financa si dhe dëgjimeve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore.

SPAAC i bën thirrje Ministrit Liburn Aliu dhe Qeverisë për të iniciuar procedurën për shkarkim të Bujar Ejupi për ta kthyer stabilitetin në sektorin e aviacionit civil në Republikën e Kosovës./Telegrafi/