LAJMI I FUNDIT:

​Kuvendi miraton Projektligjin për Tregti me Jashtë

​Kuvendi miraton Projektligjin për Tregti me Jashtë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për Tregti me Jashtë, për të cilin, nga Qeveria u tha që synon të nxitë zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve duke rregulluar importin dhe eksportin.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, derisa ka arsyetuar Projektligjin, ka thënë se dokumenti hap rrugën për tregtarët dhe mundëson mallra e shërbime cilësore për qytetarët.


“Ligji hap rrugën për tregtarët në veprimtaritë e tyre të ligjshme për të mundësuar mallra dhe shërbime cilësore për qytetarët, ligji thjeshtëson procedurat administrative për lejet dhe vlerësimet e konformitetit, mbron pronësinë industriale dhe siguron mjetet e duhura juridike për operatorët. Për më tepër, ligji mbron industrinë vendore nga praktikat e dëmshme, duke fuqizuarin njëherësh qeverinë të veprojë në mbrojte të interesit shtetëror dhe të qytetarit”, ka thënë Hajdari.

Megjithatë, projektligji që u mbështet me 62 vota të deputetëve nga partia në pushtet, u kritikua nga opozita.

“Çka do të ndodh me reciprocitetin ,ku mbet reciprociteti, pse nuk është në këtë ligj, çka po ndodh, ehe një fakt po ua jap që do të duhej ta rregullonte ky ligj, vetëm në tremujorin e parë të këtij viti kemi 70% të rritjes së importit nga Serbia, statistika zyrtare gjeni në internet, ku ndodhet masa shtetërore, tash e kemi ligjin e gatshëm në draftligj, pse nuk e rregullojmë këtë çështje, pra ka ndodh një rritje që nuk ka qenë më herët, në momentin kur ne po hartojmë një ligj për tregtinë e jashtme”, ka thënë deputeti i PDK-së, Farat Shala i cili deklaroi se nuk e mbështesin një projektligj të tillë.

Ndërsa deputetja nga LDK, Valentina Bunjaku tha se projektligji duhet të ndihmojë bizneset me tregti me jashtë, dhe jo të hartohet me populizëm.

“Përkundër populizmit nga Vetëvendosje me nacionalizëm, Shqipëria nuk favorizohet në këtë projektligj, kur bëhet fjalë për tregtinë me jashtë”, ka thënë ajo. /Telegrafi/