Me 84 vota "për", pa asnjë "abstenim" ose "kundër", Kuvendi më 3 dhjetor votoi për të krijuar Komision Hetimor që do të përcaktojë rrethanat dhe veprimet e institucioneve në tragjeditë dhe aksidentet me numër të madh të viktimave në Maqedoninë e Veriut.

Komisioni do të mbulojë ngjarjet në Koçan, zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë, aksidentin me autobusin "Besa Trans" dhe aksidentin e autobusit të "Durmo Tours" pranë Laskarcës. Iniciativa u paraqit nga deputetët e OBRM-PDUKM-së, VLEN-it dhe ZNAM-it.


Kuvendi nuk e pranoi iniciativën e veçantë për Komision Hetimor për ngjarjet në Koçan të propozuar nga LSDM, Levica dhe BDI, e cila mori mbështetjen e vetëm 28 deputetëve.

Deputeti Antonio Miloshoski nga OBRM-PDUKM shpjegoi se Komisioni i ri Hetimor synon të përcaktojë të gjitha mangësitë që çuan në tragjeditë, në të cilat humbën jetën gjithsej 138 persona. Ai theksoi se në të gjitha rastet vërehen dështime institucionale dhe mosfunksionim i sistemit, dhe gjetjet do t'i përcillen Qeverisë dhe Prokurorisë Publike për përcaktimin e mundshëm të përgjegjësisë politike dhe penale.

Miloshoski bëri thirrje për qasje jo-selektive dhe i inkurajoi të gjithë deputetët, përfshirë kryetarin e LSDM-së Venko Filipče, të mbështesin punën e Komisionit.

Nga ana tjetër, Oliver Spasovski nga LSDM shpjegoi nevojën për të krijuar një Komision të veçantë Hetimor ekskluzivisht për zjarrin tragjik në diskotekën Pulse në Koçan, duke theksuar se një kërkesë e tillë vjen nga prindërit e të vdekurve dhe nga opinioni.
Ndryshe, në seancë, deputetët miratuan gjithashtu njoftimin për zgjedhjen e kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarëve të KSHZ-së, si dhe disa ndryshime ligjore tjera./Telegrafi/