Pas dorëheqjes së Evis Sala nga pozita e ministres të Shëndetësisë, këtë pozitë e ka marr Klodiana Spahiu, duke sjellë në këtë post një profil të lidhur ngushtë me mjekësinë dhe sistemin shëndetësor.

Klodiana Spahiu ka lindur më 22 maj 1973 në Durrës. Ajo ka përfunduar studimet për Mjekësi të Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1997. Një vit më vonë nisi specializimin në Kardiologji pranë QSUT “Nënë Tereza”, të cilin e përfundoi në vitin 2002, raporton euronews.al.


Gjatë karrierës së saj mjekësore, Spahiu është specializuar në disa fusha të kardiologjisë, përfshirë ekokardiografinë, PU-EKG dhe Eko-Dopplerin e karotideve, pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore”, Fakulteti i Mjekësisë “Agostino Gemelli”, në Romë.

Në vitet 2003-2004 ka ndjekur studimet pasuniversitare pranë Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, ndërsa në vitin 2005 është specializuar në Kardiologjinë Invazive, përfshirë kateterizimin dhe koronarografinë e zemrës, në Spitalin “Santa Chiara” në Pisa të Italisë.

Në vitet 2012-2014 ka përfunduar masterin profesional në Menaxhim Shëndetësor.

Karriera e Spahiut është zhvilluar edhe në sistemin publik shëndetësor. Ajo ka punuar si mjeke në Klinikën e Parë të Kardiologjisë në QSUT, ndërsa gjatë viteve 2003-2009 ka ushtruar profesionin e kardiologes në Spitalin e Durrësit, ku më pas është emëruar edhe drejtore.

Krahas profesionit të mjekut, Spahiu ka pasur edhe një angazhim të gjatë akademik. Në vitet 2002-2003 ka qenë pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2006 ka qenë pedagoge e jashtme e fiziologjisë në Universitetin Privat “UFO” në Tiranë.

Prej vitit 2008 ka qenë docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë” në Tiranë. Ajo mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.

Përtej karrierës në mjekësi dhe akademi, Klodiana Spahiu ka një përvojë të gjatë në politikë. Ajo është deputete e Kuvendit të Shqipërisë që prej vitit 2009 dhe gjatë viteve ka qenë pjesë e disa komisioneve e nënkomisioneve parlamentare, si dhe e grupeve të miqësisë.

Me një karrierë që ndërthur mjekësinë, menaxhimin shëndetësor, akademinë dhe politikën, Spahiu vjen në krye të Ministrisë së Shëndetësisë në një moment të ndryshimit të drejtimit të dikasterit.