Në episodin e parë të ciklit “Përballje Podcast” për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, flet Besa Shahini nga Partia Socialdemokrate, që për herë të parë garon për kryetare të Prishtinës.

Kryeqyteti sfidohet çdo ditë nga probleme urbane, sociale, ekonomike, mjedisore dhe politike – dhe nuk është e lehtë për t’u menaxhuar. Por pse ka hyrë Shahini në garë? Çfarë i duhet sot Prishtinës? Dhe çfarë konkretisht ofron ajo për qytetin?


Shahini thotë se që kur është kthyer nga Tirana për të jetuar në Prishtinë, ajo bashkë me qytetarët tjerë janë ankuar vazhdimisht se gjërat në kryeqytet nuk po shkojnë mirë, sipas saj, duke filluar nga mungesa e autobusëve, mungesa e trotuareve, mungesa e parqeve e të tjera probleme.

Si fillim, Shahini thotë se fokusin do ta ketë në arsim.

"Po ç'ka më shtyjti me u fut në garë tash, është se kam përshtypjen që s'kemi mo kohë, për mos me intervenu që me fillu me shndërru qytetin në një qytet pak më të jetueshëm. Vajza ime i ka tre vjet edhe kanë fillu me folë prind e bashkëmoshatarëve të saj, me na pyet 'ai keni fut në listë pritjes te kjo shkollë private?' Edhe thashë po na dojmë më shumë në shkollë publike, po më la shumë përshtypje që nuk konsiderohet domethënë në shkolla publike si shkollë e mirë më, kështu që për familjet që kanë mundësi me pagu, mendojnë ku t'i çojnë në shkolla private", u shpreh ajo.

Kandidatja për kryetare të Prishtinës tha se do të fokusohet që në kryeqytet të ketë arsim cilësor.

"Unë kisha dashtë që ajo së paku kur ta nisë shkollën e mesme të ulët, domethënë kur ta nisë klasën e gjashtë të ketë shkolla të mira publike në gjithë qytetin, ku të gjithë nxënësit mësojnë me një ndërrim. Dhe ajo që ndodh brenda shkollës është një mësimdhënie e mirëfilltë që i përgatit të rinjtë e Prishtinës për një jetë më të mirë, për një jetë më të pavarur. Unë mendoj që çka duhet me ofru një kryeqytet çfarëdo shteti, po sidomos një vendi të vogël si Kosova duhet gjithsesi me u përqendru në arsim cilësor, sepse njerëzit janë të vetmen gjë që i kemi si aset edhe zhvillimi në këtë aspekt është esencial", potencoi ajo.

Kandidatja për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini në 'Përballje Podcast' Foto: Ridvan Slivova

Në Përballje Podcast, ajo tha se një problem tjetër është edhe me lagjet e kryeqytetit, e që sipas saj nuk kanë lidhje të mirë mes vete.

"Lagjet në Prishtinë sot janë si nuk janë të lidhura fort mirë me njëra-tjetrën. Domethënë edhe këto lagje që kanë dalë më në periferi ku njerëzit jetojnë nëpër shtëpi edhe janë me rrethoja të mbyllura edhe ato janë si të shkëputura. Unë mendoj që ta jetojmë një jetë më të mirë në në Prishtinën si qytet, me domosdoshmërisht duhet të bëjmë një ndërlidhje mes këtyre lagjeve. Mes lagjeve që janë të urbanizume në qytet, ne po mendojmë, jemi tu e ndërtu një plan për korridoret e gjelbërta ku njerëzit mund të ecin nga lagjja në lagje, sepse distancat nuk janë të mëdha", theksoi ajo.

Kandidatja për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini në 'Përballje Podcast' Foto: Ridvan Slivova

Shahi u shpreh se në krahasim me qytetet tjera, Prishtina është një qytet që të jep stres që nga momenti kur del nga shtëpia. Ajo po ashtu tha se qytetarët kanë shumë probleme edhe të dalin dhe të ecin.

Si temë të tretë Shahini ka përmendur çmimin e lartë të banesave me qira në Prishtinë si dhe çmimet e larta të shitjes së banesave.

Ajo ka folur edhe për tema tjera, ku sipas saj ka nevojë urgjente për ndërhyrje. /Telegrafi/