LAJMI I FUNDIT:

Kush e nisi luftën vëllavrasëse, komunistët a ballistët?

Kush e nisi luftën vëllavrasëse, komunistët a ballistët?

Në broshurat apo botimet që dolën menjëherë pas çlirimit, të plotësuara deri edhe me dokumente të fotokopjuara për të dëshmuar qëllimisht karakteristikën kolaboracioniste apo tradhtare të Ballit Kombëtar, si edhe të mbretërorëve, nuk ka asnjë fjalë për luftën ndërqytetare mes komunistëve dhe tyre, sidomos me nacionalistët.

Në përpjekjen më të fundit, para shembjes politike të regjimit të para nëntëdhjetës, në botimin “Historia e Shqipërisë” (pjesa III, vitet 1912-1944), publikim i motit 1984, në plot 159 faqe, ku ndodhet lënda për periudhën e pushtimit fashist dhe të qëndresës kombëtare ndaj tij, po ashtu nuk përmendet asnjëherë togfjalëshi “luftë civile” apo termi “vëllavrasje”.


Edhe pse disa historianëve të kohës, sidomos ndonjërit disi më të çliruar prej dogmave ideologjike, dyfjalëshi pohues “luftë civile” u ka shpëtuar herë pas here nga goja, ajo zyrtarisht është hequr, është fshirë, është zhdukur pa nam dhe nishan. Ndërkohë që gjatë luftës shtrihej sa gjerë e gjatë nëpër pothuaj të gjitha dokumentet komuniste të kohës, përfshi masivisht korrespodencën e vetë Enver Hoxhës.

Shumë më intensivisht ajo gjendet nëpër traktet apo tërë deklarimet publike këtë kohë të Ballit Kombëtar. Madje, këtu nuk kursehet fare dhe shpesh gjendet deri edhe në çdo paragraf. Nacionalistët këtë qëndrim e theksuan edhe më fort pas luftës, ndërsa vepronin në kushtet e emigrimit të detyruar jashtë vendit. Kështu, pas vitit 1944 u krijua një dukuri shumë e çuditshme, dredharake, hileqare: komunistët heshtnin, ballistët e shumonin denoncimin.

Të parët u ngulën në llogoren e taktikës së tyre të mospranimit të përleshjes së brendshme civile, të dytët u kacavjerrën me duar dhe me këmbë në zmadhimin maksimal të saj. Madje kjo prirje e këtyre të fundit pas rënies së “diktaturës së proletariatit” ka ardhur në galop rritjeje. Sigurisht që në mes të këtij qëndrimi mjaft të kundërt të komunistëve dhe ballistëve qëndronte interesi politik i secilës palë.

Po përse, ndërsa gjatë luftës, sidomos fillimvjeshtës 1943, PKSH nuk ngurron asnjëherë ta fajësojë Ballin Kombëtar si promovues dhe nxitës, si shkaktar dhe nismëtar, si autor dhe fajtor i vëllavrasjes, nuk e vijon më pas të njëjtën strategji demaskimi të kundërshtarit të vet? Në fund të fundit do të ishte koherencë, do të besohej më fort. Por, ajo tërhiqet, zbythet, largohet me të shpejtë. Kjo mund të ndodhë për vetëm një arsye të thjeshtë: përleshja vllavrasëse, për aq sa në Shqipëri mori formën totale apo fragmentare, qe vendi i saj i krimit.

Vetëheshtja që të mbahej me vendosmëri, ishte e domosdoshme të mbështetej dhe provohej me sofizma, me truke prapagandistike, mundësisht me prodhim të qëllimtë filmash apo veprash artistike, përfshi edhe letërsinë. Patjetër edhe nëpërmjet librave të historimësimit masiv. Shihni si e kryen këtë truk libri i mësipërm i historisë së Shqipërisë! Në faqen 558 kapitullin “Rigrupimi i forcave reaksionare. Regjenca kuislinge dhe Legaliteti”, e mbyll me këto fjalë: “nga ana tjetër, klasa e çifligarëve, bajraktarëve, borgjezia e madhe, një pjesë e vogël e borgjezisë së mesme qytetare, fshatarët e pasur, pjesa reaksionare e intelektualëve dhe e klerit, politikanët aventurierë, kusarët e kriminelët, të grumbulluar rreth pushtuesve fashistë gjermanë, në organizata e grupe politike heterogjene si Balli dhe Legaliteti. Forca e armatosur e këtij grupi të dytë ishin repartet e xhandarëve dhe bandat e ballistëve, zogistëve dhe bajraktarëve. Këto forca nuk përbënin një front më vete, por ishin vegla të pushtuesve hitlerianë dhe vepronin sipas urdhrave të tyre”.

“Nuk përbënin front më vete” do të thotë se nuk përfaqësonin ndonjë pjesë të popullit, se nuk qenë parti alternative apo lëvizje kombëtare dhe për rrjedhojë nuk ishin gjymtyrë të natyrshme të shoqërisë shqiptare dhe të vetë pluralizmit. Për rrjedhojë, sipas interpretimit të mësipërm, ballistët dhe monakistët zogistë duheshin luftuar si pushtues. Në këtë kuptim, sipas PKSH, fironte edhe themeli i arsyetimit se në këtë ndeshje me armë pati ndodhur luftë civile ose vëllavrasëse.

Sipas dogmës së saj njëmbëdhjetë klasa dhe grupe shoqërore (çifligarët, bajraktarët, borgjezia e madhe, një pjesë e vogël e borgjezisë së mesme qytetare, fshatarët e pasur, pjesa reaksionare e intelektualëve dhe e klerit, politikanët aventurierë, kusarët e kriminelët si edhe Balli Kombëtar dhe Legaliteti), qenë bërë pjesë e huaj e kombit, në një farë mënyre ishin joshqiptarë. Në fund të fundit luftë civile, dinakëronte ajo, kishte po të përplaseshin me armë shqiptarët me vetë shqiptarët.

NJË HESHTJE E AKADEMISË SË SHKENCAVE

Akademia e Shkencave në “Fjalorin Enciklopedik” të saj të vitit 2008, botimi më i fundit i llojit të vet, për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare ka vetëm një faqe, porse për luftën civile, vëllavrasëse, të kryer ose jo, në fillesë apo përgjakje të plotë, nuk ka as edhe një germë. Kjo do të thotë se ajo, së paku, nuk e pranon fare të ketë ekzistuar, kur tashmë për mbi një çerek shekulli pothuaj të gjithë anëtarët apo bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë, gati tërë punonjësit studiues të Institutit të Historisë si edhe rresht emrat më të shenjuar për nga dituria shkencore dhe po ose jo maturia politike, janë prononcuar për prani të kësaj dukurie. Ndahen vetëm në çështjen se ka qenë një luftë civile tërësore apo ka pasur vetëm elementë të saj. Deri tani nuk gjendet dijetar i historisë që të jetë shprehur se nuk ka ekzistuar gjatë Luftës së Dytë Botërore ndonjë përleshje ndërshqiptare.

9 SHTATOR 1943, DIREKTIVA VËLLAVRASËSE NGA LABINOTI

Në orën 22.00 të datës 9 shtator në direktivat e tij nga konferenca e porsambyllur e Labinotit “Në lidhje me gjendjen e krijuar pas kapitullimit të Italisë fashiste”, “Gjithë komiteteve qarkore të partisë”, Enver Hoxha (Shpati) u komunikonte strukturave vartëse: “Ne mendojmë se me Ballin Kombëtar nuk do të jetë e mundur të arrihet një marrëveshje.

Mendojmë, gjithashtu, se Balli ka marrë një rrugë që do ta shpjerë patjetër në një përpjekje me ne…”. Ndërkohë saktëson: “Ta paraqitim mirë në popull Ballin si përçarës dhe shkaktar vëllavrasjeje, të bëjmë që populli ta shohë se politika e Ballit do të na shpjerë në përpjekje me armë, të bëjmë që populli i tëri të revoltohet për këtë gjë dhe kështu përgjegjësitë historike të mosbashkimit të popullit shqiptar dhe të përpjekjes me armë të bien, siç është e vërteta, dhe kjo të jetë e qartë për të gjithë në Shqipëri, mbi Ballin Kombëtar”. Në vijim Enver Hoxha bën kushtrim dhe urdhëron: “Të përgatitemi, të përgatitim të tërë ata të lëvizjes nacionalçlirimtare, të përgatitim popullin për një përpjekje me Ballin; Balli po e përgatit këtë përpjekje dhe nuk duhet të na gjejë me duar lidhur, nuk duhet në asnjë mënyrë që t’i lejojmë Ballit të përgatitet dhe të na godasë në konditat më të favorshme për të, duhet ta vëmë me shpatulla në mur dhe ta shtrëngojmë që t’i qitë sheshit kartat e tij dhe, kështu, të mund ta godasim kur të jetë më e favorshme për ne, kur ka ketë kuptuar tërë populli lodrën e tij dhe kur i tëri të bashkohet me ne kundër tij”.

Duke u ndalur kalimthi këtu përse të mos mendojmë se ndeshja vëllavrasëse në Shqipëri ka filluar që prej këtij çasti, më 9 shtator 1943, pra kur ajo u shpall si objektiv dhe strategji shumë e afërt e PKSH-së?

SURPRIZA E HISTORIANES SONILA BOÇI

Sonila Boçi, patjetër deri tani një nga historianet më të informuara për vitet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, thotë se përplasja e pritshme e armatosur mes komunistëve dhe ballistëve ka pasur si ngasje dhe parathënie një ditë tjetër, më shumë se një muaj më parë: 4 gusht 1943. Ngjarja dëshmuese ka ndodhur në territorin e Pogradec-Korçë-Kolonjës, më konkretisht në Shipskë. Për herë të parë autorja këtë zbulim të saj e ka paraqitur në 11 janar 2015 në po këtë të përditshme, “Shqiptarja.com”.

Në Shipskë ndodhej një spital partizan dhe zotëruesit e fshatit herë qenë grupet e armatosura të Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe herë ato të Ballit Kombëtar. Në 4 gusht në fondin që lidhet me dokumenta të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇl, pjesë e ish-arkivës së Komitetit Qendror të PPSH-së, Sonila ka gjetur një urdhër të Enver Hoxhës nisur “komitetit qarkor të Korçës që të mbajnë qoftë edhe me dhunë fshatin Shipskë, ku ishte vendosur spitali partizan dhe nëse forcat e Ballit kërkonin të hynin në fshat ato të qëlloheshin”.

Përplasja e armatosur nuk ndodhi, sepse edhe ballistët ato ditë nuk e mësynë Shipskën, por ndryshe nga më parë këtë 4 gusht 1943 urdhri për të hyrë në ndeshje me armë me rivalët politikë për herë të parë qe shkruar e zezë në të bardhë. Deri ato çaste PKSH nuk ka dhënë asnjë dëshmi tjetër shpalljeje lufte të armatosur me BK. Doemos që ky 4 gusht nuk mund të konsiderohet ditë e shpërthimit të vëllavrasjes, sepse realisht kjo gjë fizikisht nuk ngjau, por provon se mendësia në PKSH ishte e gatshme për ta kryer.

Kjo prirje duket shqetësuese kur e mendon se urdhërdhënia veproi dy ditë pas arritjes së marrëveshjes së Mukjes. Në 2 gusht pati përfunduar mbledhja e njohur dhe firmosur procesverbali i paktit nga 12 anëtarë të Ballit Kombëtar dhe po kaq të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Në 3 gusht qe mbledhur organi i përbashkët drejtues i porsazgjedhur, Komiteti i Përkohshëm për Shpëtimin e Shqipërisë. Po këtë ditë Ymer Dishnica, në vijim të dy letrave të mëparshme informuese, i dërgoi Enver Hoxhës edhe një të tretë, shumë më të hollësishme. Sipas rregullit ajo është nisur drejt Hoxhës, që ishte në rrethinat e largta të Korçës, po atë ditë, por pak të ngjarë ka t’i ketë mbërritur në dorë të nesërmen, në 4 gusht. Megjithatë fryma e prishjes së marrëveshjes së Mukjes në palën e PKSH-së qe e dukshme shumë më parë nga 6 gushti, kur Enver Hoxha i dërgoi një letër mosaprovuese Ymer Dishnicës dhe 8 gushtit kur ky dha urdhrin kategorik të prishjes së menjëhershme të marrëveshjes.

1 TETOR 1943, DËBIMI I PARË I ANGOAMERIKANËVE

Duke e lënë 8-9 shtatorin 1943 si një variant real të ditëfillimit direktiv, zyrtar, të luftës ndërqytetare (e theksojmë: për aq sa i kishte realisht përmasat, sepse autori i këtyre rradhëve është i mendimit se ajo nuk ka qenë aspak totale, por dukshëm e pjesshme dhe fragmentare), në hetimin tonë historik duhet të shkojmë më tej. Më 26 shtator në një letër drejtuar komitetit qarkor të PKSH për Beratin Enver Hoxha shkruan: “Në qytetin tuaj ekzistojnë dy pushtete: njëri i Ballit dhe tjetri yni, gjë që s’duhet të ndodhë. Nuk mund të tolerojmë që Balli të ngrejë pushtetin e vet krahas me tonin, nuk duhet të lejoni dualitet në këtë gjë. Prandaj duhet patjetër ta luftoni këtë pushtet dhe të njihet vetëm pushteti ynë”. Pastaj Hoxha ngulmon: “Bashkim nuk ka me Ballin”.

Më 1 tetor 1943 në letrën drejtuar “Për veprim gjithë komiteteve qarkore të partisë” Enver Hoxha shkonte vendosmërisht deri në skaj të platformës së PKSH-së për t’u drejtuar grykën e armëve ballistëve. Shkruante: “Për çështjen e misioneve angleze, në qoftë se keni, duhet të jetë i qartë. Ato janë këtu përfaqësuese të ushtrisë angleze dhe si të tilla duhet të përkrahin ata që luftojnë kundër okupatorit; në asnjë mënyrë ata s’kanë të drejtë të përzihen në punët tona të brendshme dhe ushtarake. T’u thuhet haptazi qëndrimi ynë ndaj Ballit dhe çdo partie tjetër, dhe për çdo gjë që ato do të bëjnë në favor të tyre dhe në disfavor të luftës që bën populli shqiptar, do të jenë përgjegjës para qeverisë së tyre dhe para nesh. Në asnjë mënyrë të mos merren si arbitra për të zgjidhur çështjet tona dhe të Ballit, këto ne i rregullojmë vetë…”

Kjo direktivë, e cila mund të quhet edhe përjashtim-dëbimi i parë i angloamerikanëve, çfarë me të dytin do të përsëritej në vitin 1946, ishte prerja e degës së fundit, prej ku lufta e brendshme qytetare mund edhe të ndalej. Me heqjen qafe të britanikëve Partinë Komuniste Shqiptare nuk e frenonte asgjë prej objektivit të saj për të shterpuar pluralizmin partiak, i cili pas çlirimit do të garantonte, qoftë edhe në një minimum, një sistem demokratik. Me përjashtimin e rolit politik të anglo-amerikanëve, sepse këtë qëndrim e kishin zgjedhur nëpërmjet stalinizmit rus dhe jugosllav, fati i shqiptarëve u paratha dhe u mbyll katërmbëdhjetë muaj para se të çlirohej atdheu i tyre.

Ndërkohë britaniko-amerikanët, pse jo edhe sovjetikët që ato kohë zbatonin një vijë sjelljeje me pragmatiste, kishin qenë dhe mbeteshin nxitës së bashkimit të përkohshëm mes komunistëve dhe jo të tillëve, përfshi edhe nacionalistët antikomunistë. T’i këpusje mundësitë e Ballit Kombëtar të kishin për ndihmës dhe mbështetës bashkëpunimi misionet angleze donte të thoshte jo vetëm t’i lije vetëm ndjekësit e tij, t’i izoloje apo ca më tej se kaq, t’i rrethoje, por edhe të largoje çdo dëshmitar mbi masakrën civile që do të ndodhte.

Kjo manovër qe po ashtu mjaft dinake. Ajo nuk kishte për qëllim vetëm t’i ndante nacionalistët prej çdo kontakti me aleatët e Boshtit Antifashist, por edhe t’i shtynte ata, me hir dhe pahir, kundër tyre. Me pak fjalë t’i shtrëngonte të kalonin me gjermanët. Ballin Kombëtar drejt këtij tehu thike e shtynin edhe disa forca të brendshme si edhe nacionalizmi i tyre ideologjik, sipas të cilit bashkimi i një pjese të trojeve kombëtare me shtetin amtar, do të ishte objektivi kryesor dhe arritja më e madhe e shqiptarëve në atë Luftë të Dytë Botërore.

ENVER HOXHA: BJERINI BALLIT!

Në këtë ditë shumë kyçe për të kuptuar dinamikën e luftës vëllavrasëse dhe qëllimin e saj të xhveshur për marrje totale pushteti, më 1 tetor 1943, në një letër “Për veprim gjithë komiteteve qarkore të partisë” që në fillim, në paragrafin e dytë, Enver Hoxha porosit prerë: “Në radhë të parë na paraqitet çështje e pushtetit, dua të them vendosja kudo e këshillave nacionalçlirimtarë, forcimi i tyre dhe mbrojtja e tyre nga çdo tentativë e Ballit ose e ndonjë partie tjetër, që do të përpiqet t’i sabotojë ose t’i luftojë haptazi. Për këtë punë nuk duhet të ketë dy kuptime: vetëm pushteti i këshillave duhet të ekzistojë dhe asnjë pushtet tjetër, nuk ka kompromis dhe dualitet për këtë gjë”.

Hoxha po ashtu ngul këmbë: “Puna politike kundër Ballit nuk duhet të jetë e vetme në këto raste, ajo duhet të ndihmojë veprimet ushtarake, të cilat duhet të jenë decizive”. Njëkohësisht: “Balli nuk ta liron pushtetin, dhe askush tjetër, në qoftë se nuk e rrëmben me forcë….”. Në vijim: “…sikundër e shihni ne vemi drejt likuidimit të Ballit dhe jo drejt bashkimit me të”. Më pas: “Në rast se ushtarakisht s’jeni në gjendje, duhet ta goditni politikisht, por s’duhet të harroni asnjë moment për të përgatitur grushtin që duhet t’i jepni ushtarakisht. S’ka rrugë tjetër”.

Me këtë qarkore kobzezë të 1 tetorit 1943 mund të thuhet fare qartë dhe pa patur nevojë më edhe për prova të tjera, se kjo është dita kur PKSH urdhëron fillimin e shfarrosjes me dhunë të pluralizmit partiak dhe politik, pas diktaturës së Ahmet Zogut të ribulëzuar në Shqipëri në 8 nëntor 1941 me themelimin e Partisë Komuniste, një mot më pas me krijimin e organizatës Balli Kombëtar dhe shumë muaj më pas me shpalljen e Legalitetit. Mund të pohohet në mënyrë të sigurt se 1 tetori 1943 shënoi fillimin e vendosjes së ardhme të diktaturës së re në vendin tonë, asaj të modelit stalinist.

Kështu u bënë bashkë, të njëkohshme, lufta vëllavrasëse me zhdukjen e shumëpartitizmit. Madje ato qenë pjesë të njëra-tjetrës. Lufta e drejtë çlirimtare u binjakëzua me revolucionin shoqëror bolshevik.

MIT’HAT FRASHËRI: U KTHENI GRYKAT E PUSHKËVE KOMUNISTËVE!

Gjashtë ditë më pas, më 7 tetor, nëpërmjet vetë Mitat Frashërit, më në fund Balli Kombëtar reagon. Janë dy udhëzime që brenda të njëjtës ditë ua nisi komiteteve vartëse në të gjithë Shqipërinë.

Teksti i mesazhit të parë: “Balli Kombëtar, Laikose numri 6, 43/1, Elbasan, Tepër rezervat, Shqipnija e Shqiptarëvet Vdekje e Tradhëtarëvet.

Gjithë komitetevet krahinorë.

Me qenë se vëndi i ynë sot ka nevojë ma të ngutëshme për rregullë dhe disiplinë, gjithë komitetet, komandat dhe çetat e Ballit Kombëtar, porositen që me të arrijtur kjo qarkore të pezullohet çdo operasion luftarak kundër forcavet gjermane tash për tash.

Ma vonë do t’ju dërgohen edhe direktiva të tjera.

Shqipni e Lirë. 7-10-1943. Për Komitetin Qëndruer Midhat Frashëri”

Mesazhi i dytë i po asaj dite, i hartuar po ashtu me shkrim dore, sërish i nisur prej Elbasanit brenda pak orëve nga i pari, e hov edhe më shumë qëndrimin e vet. Këtë herë nuk bëhet fjalë për një pezullim të përkohshëm të luftimeve kundër gjermanëve, por nga ballistët duhet të shkohet shumë më tej.

Qarkorja e dytë e 7 tetorit 1943, e shënuar mbi tekst ne numrin 7, thotë shkoqur:

“Gjithë Komitetevet Krahinorë

Organizata e jonë Ka dashur gjithmonë t’i largohet grindjes dhe gjakderdhjes me partinë Komuniste e prandaj ka pasur një sjellje paqësore. Mirëpo shifet se partija Komuniste jo vetëm që nuk respekton marrëveshtjen e nënshkruarë në Mukaj, porse na sulmon me çdo mënyrë, si me propagandë ashtu edhe me vrasje.

Prandaj porositeni që çdo sulmi e çdo atentati Komunist t’i përgjigjeni me një herë dhe po me atë mënyrë. Për këtë çështje duhet bamë edhe një propagandë sistematike tue botue trakte, kështu që t’a kuptojë populli si asht e vërteta dhe kush e ka fajin”.

Në kronikën e raporteve shumë të acaruara mes Partisë Komuniste Shqiptare deri më 7 tetor që kjo ditë të prodhonte njëhershëm gjestin e dy urdhrave të mësipërm të Mit’hat Frashërit nuk pati ndodhur ndonjë gjë fort e spikatur, pra ndonjë agresion real i njësive partizane kundër atyre nacionaliste. Veç kjo ka ngjarë në kronikën tjetër: atë të marrëdhënieve me hitlerianët.

Sipas botimit në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar të trevëllimëshit “Ditari i Luftës së Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane” (“Kriegstagebuch des Oberkommandos der Ëehrmacht, KTB OKË”), për temën shqiptare përkthyer nga Ana Kolevica, në 1 tetor: “Vazhdojnë spastrimet në Shqipëri dhe Kroaci”, në datën 3: “Hitleri urdhëron të emërohet një “Gjeneral përgjegjës për Shqipërinë” dhe se Komanda Supreme e ka lëshuar një urdhëresë për këtë.

Në 4 tetor Hitleri e pati porositur komandën e lartë jugore se “Pritet që armiku t’i drejtojë operacionet kryesore kundër rajonit juglindor ose nga Italia jugore për në Shqipëri-Mal të Zi-Kroaci jugore ose pas luftimeve nga Italia qendrore kundër Kroacisë veriore–Istria”. Në 6 tetor “Ditari i Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane” shënon këto fjalë: “Pritet një sulm britanik në rajonin juglindor kundër bregut shqiptaro-dalmatik ose nëpër detin Egje kundër Maqedonisë dhe Thrakisë”.

Në 7 tetor, pikërisht ditën e dy urdhëresave të Mit’hat Frashërit për të pezulluar veprimet e armatosura të Ballit Kombëtar kundër gjermane dhe për t’iu përgjigjur me të njëjtën mënyrë, pra edhe me luftë, sulmeve apo atentateve të PKSH-së, Ditari shënon: “Forcohet veprimi i bandave në Shqipëri dhe Kroaci”. Për çka ndodhur një ditë më pas, në 8 tetor, Komanda Supreme nënvizon: “Në Shqipëri është ngritur me ndihmën gjermane një qeveri shqiptare, e cila ka ndër mend të krijoje një trupë milicie të vetën”. /Shqiptarja/