Vendimi i delegatëve, çka pritet të ndodhë në Kuvendin e LDK-së?

354 anëtarë të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nesër do ta kenë në dorë fatin politik të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. I vetmi që publikisht ka shprehur synimet për ulësen e tij është Avdullah Hoti, i cili gjatë javës së kaluar ka thënë se do të kërkojë besimin për tu bërë kryetar i LDK-së.
Në ditën e fundit të janarit, konkretisht në orën 12, 354 delegatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të takohen për një prej mbledhjeve më të rëndësishme të viteve të fundit për këtë parti.
Ata do të vendosin nëse do t’a mbajnë edhe më tej Lumir Abdixhikun në krye të partisë, ose nëse do t’ia besojnë dikujt tjetër drejtimin.
Abdixhiku, pas rezultatit të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, e ka ofruar dorëheqjen, por jo si akt të kryer.
Në Kuvendin e së shtunës, nga ka kërkuar votëbesim, pra do të vendoset se a e pranojnë dorëheqjen apo jo.
Krahas Abdixhikut i vetmi që publikisht e ka shpallur kandidaturën për kryetar është Avdullah Hoti.
Analisti politik Visar Ymeri, thotë se për shkak të faktit se nuk ka dorëheqje si proces të përfunduar, e cila do t’i hapte rrugë komplet një procesi dhe një gare të sigurt që nuk kushtëzohet nga votat në Kuvend, nuk ka pasur edhe shumë brum për ta mësuar vizionin e pretendentëve për kryetar.
“Kandidatura e z. Hoti është kandidaturë e cila kërkon garë në rast se pranohet largimi ose dorëheqja e Lumir Abdixhikut, unë kështu po e kuptoj situatën në LDK, pa hyrë në analizë të statutit edhe të drejtës që e kanë të gjithë por nuk mendoj se asnjëri prej tyre kanë bërë ndonjë shkelje stature sepse për ndryshe kishte me pasë reagim nga partia, tash a do të ketë kandidat ose interesim tjetër për kandidatura, unë mendoj se kjo varet se a do të ketë mundësi për garë ose jo”, u shpreh Ymeri.
Ymeri thotë se një ndër çështjet që duhet të jetë në fokus të kujtdo që pretendon postin e kryetarit të LDK-së është shpjegimi se cila është platforma ose plani për të korrur rezultat më të mirë sesa ky i fundit, në ballë të së cilit ka qenë Abdixhiku.
“Partia ka nevojë edhe për njerëzit që kanë përvojë politike pra këtë duhet këta të rinjtë me e kuptu që njerëz që kanë përvojë dhe angazhim afatgjatë në LDK nuk mundesh mi anashkalu vetëm pse po ke qef, por në anën tjetër edhe ata që janë një kohë të gjatë duhet me kuptu që partia nuk rritet vetëm duke i mbajte njerëzit që i ke pasur vazhdimisht, partia politike cilado jo vetëm LDK-ja”, u shpreh Ymeri.
Ymeri mendon se nëse LDK në këtë rast e synon rritjen nuk duhet të jenë konservatore duke pasur për qëllim vetëm ruajtjen e votës tradicionale, por duke tentuar zgjerimin edhe tek kategoritë ku nuk kanë përkrahje dhe mbështetje.
Lidhja Demokratike e Kosovës, në zgjedhjet e fundit doli si partia e tretë, me vetëm 13 % të votave, që përkthehen në 15 ulëse në Kuvendin më 120 ulëse./Tv Dukagjini/




















































