Kusari-Lila: Gjuha kërcënuese ndaj Vjosa Osmanit është e papranueshme

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj gjuhës ofenduese dhe kërcënuese që, sipas saj, është përdorur ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka theksuar se në një shoqëri demokratike kritika ndaj institucioneve dhe bartësve të tyre është e drejtë dhe e nevojshme, por fyerjet dhe nxitja e urrejtjes nuk mund të arsyetohen.
“Në një shoqëri demokratike, kritika ndaj institucioneve dhe bartësve të tyre është e drejtë dhe e domosdoshme. Megjithatë, gjuha ofenduese, kërcënuese dhe nxitja e urrejtjes ndaj Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, nuk kanë asnjë arsyetim”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, fyerjet nuk përbëjnë argument në debat publik dhe mbeten të papranueshme.
“Fyerjet nuk janë argument; ato janë delikuencë dhe mbeten të papranueshme në çdo debat publik”, ka theksuar Kusari-Lila.
Ajo ka shtuar se debati publik duhet të ndërtohet mbi ide, argumente dhe respekt, dhe jo mbi fyerje, kërcënime apo mizogjeni.
Në fund, ministrja ka bërë thirrje që qytetarët, mediat dhe akterët politikë të kontribuojnë në ruajtjen e një kulture komunikimi që promovon dialog konstruktiv dhe respekt.
“Demokracia nuk mbrohet me fyerje, por me argumente”, ka përfunduar Kusari-Lila./Telegrafi/




















































