Kurti zhvillon takime bilaterale në Paris me zyrtarë nga Finlanda, Belgjika dhe Franca

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale në Paris, në kuadër të Forumit të Paqes, me përfaqësues të lartë politikë nga tri shtete evropiane: Finlanda, Belgjika dhe Franca.
Gjatë qëndrimit në Paris, Kurti u takua me Johannes Koskinen, Kryetar të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Finlandës, Peter De Roover, President të Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, dhe Bruno Fuchs, Kryetar të Komisionit për Punë të Jashtme në Asamblenë Kombëtare të Francës.
Në këto takime, kryeministri në detyrë tha se është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekzistues dhe mundësitë për zhvillim të partneriteteve të reja, si dhe për progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.
Kurti vlerësoi se Finlanda, Belgjika dhe Franca janë shtete mike e aleate që kanë qenë pranë Kosovës në momentet më të rëndësishme të çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit.
“Te Finlanda gjejmë shtetin e mirëqenies dhe kujdesit për qytetarët tanë, te Belgjika orientimin tonë euroatlantik, e te Franca, Republikën e fortë, dashurinë për liri dhe angazhimin për barazi”, u shpreh Kurti.
















































