LAJMI I FUNDIT:

Kurti u bën thirrje komuniteteve joshumicë të regjistrohen: Jeni vlerë e identitet të shtetit tonë

Kurti u bën thirrje komuniteteve joshumicë të regjistrohen: Jeni vlerë e identitet të shtetit tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje komunitetit joshumicë që të mos ngurrojnë por t’i përgjigjen regjistrimit të popullsisë.

Sipas tij, regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është një ndër ndërmarrjet më të rëndësishme për shtetin tonë.


“Pjesëmarrja e secilit nuk është thjesht një shënim statistikor; është një deklaratë e fuqishme e identitetit, të drejtave, dhe vendit të secilit qytetar në shoqërinë tonë. Regjistrimi i popullsisë nuk është thjesht një ushtrim burokratik; është mekanizëm përmes të cilit ne formojmë politika dhe ndajmë burime për të siguruar që çdo qytetar, pa marrë parasysh etninë apo besimin, do të marrë mbështetjen dhe shërbimet që i takojnë. Në bazë të tij bëhet ndarja dhe shpërndarja e buxhetit të shtetit. Rezultatet e tij përcaktojnë politikat sociale dhe zhvillimore të shtetit, investimet në komunitetet tuaja, subvencionet në mbështetje tuaj, programet e shërbimet sociale dhe shëndetësore”, tha ai në një video.

ASK: Mbi 530 mijë qytetarë janë regjistruar deri më tani
Lexo po ashtu ASK: Mbi 530 mijë qytetarë janë regjistruar deri më tani

Tutje, ai u shpreh se regjistrimi është dokumentim zyrtar i përbërjes së shoqërisë sonë.

“Vetëm me një regjistrim të plotë e të saktë do të mund ta dimë më së miri se për sa çerdhe e shkolla keni nevojë; se sa hapësira kulturore, rekreative e sportive duhet të planifikohen në shërbim të komuniteteve tuaja; çfarë programe e politika sociale i përgjigjen nevojave tuaja e kështu me radhë. Regjistrimi është dokumentim zyrtar i përbërjes së shoqërisë sonë. Të dhënat e tij pastaj bëhen pasqyrë e politikave tona dhe përgjegjësi e shtetit dhe institucioneve tona. Regjistruesit do të vijnë derë më derë. Mirëprisni ata si mikpritës të mirë që jeni. Komunitetet joshumicë janë vlerë e identitet i shtetit tonë. Shoqëria jonë është e pasur sepse ju jeni pjesë e saj. Andaj, mos ngurroni, regjistrohuni”, u shpreh ai.

Përndryshe, Agjencia e Statistika të Kosovës ka njoftuar se deri në ditën e djeshme janë regjistruar 530 mijë qytetarë në procesin e Regjistrimit të Popullsisë. Po ashtu, mbi 36% e objekteve që janë në Kosovë janë regjistruar. Ndërsa, nga diaspora janë regjistruar 180 mijë pjesëtarë dhe mbi 50 mijë përmes platformës e-diaspora.

Në Kosovë procesi i regjistrimit do të zgjasë deri më 17 maj. /Telegrafi/