Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të pres sot në takim përfaqësuesit politikë shqiptarë të Bujanocit dhe Preshevës.

Takimi është planifikuar të mbahet në orën 08:00, ndërsa të ftuar janë Ardita Sinani, Ragmi Mustafa, Sami Salihu, Shqiprim Arifi, Naser Haziri, Shaip Kamberi, Nagip Arifi dhe Shqiprim Musliu.

Për sot është thirrur seancë e jashtëzakonshme nga kuvendi komunal i komunës së Preshevës për shkarkimin e kryetares së tanishme Ardita Sinani.

Kështu ka njoftuar kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani përmes një postimi në Facebook.

“Si përfaqësues politikë nga Lugina e Preshevës jemi të ftuar nesër në takim në Prishtinë, në ora 8.00, nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, ku kam konfirmuar pjesëmarrjen time, njoftoj opinionin publik se së bashku me z.Munir Rexhepi, Shef i Grupit të Këshilltarëve të Partisë për Veprim Demokratik në Kuvendin Komunal të Preshevës, kemi kërkuar sot nga kryetari i Kuvendit Komunal z.Sami Salihu, që ta shtyjë seancën për një kohë më të përshtatshme, meqë është e pamundur të jem e pranishme fizikisht në ora 10.00 në Preshevë”, ka shkruar Sinani. /Telegrafi/

Reklama
Reklama