LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Projektin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” do ta trajtojmë në nivelin më të lartë të seriozitetit që e meriton

Kurti: Projektin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” do ta trajtojmë në nivelin më të lartë të seriozitetit që e meriton

Nën kryesimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt sot mbledhja e parë e Komitetit Ndërministror për koordinimin e procesit, përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të implementimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz .

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti tha se qeveria ka vendosur që projektin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” ta trajtojë në nivelin e seriozitetit që e meriton, në nivelin më të lartë. Ai theksoi se ky projekt do të realizohet në mënyrë profesionale, transparente, gjithëpërfshirëse dhe me integritet të lartë politik.


“Do të sigurohemi që ekspertiza më e mirë kombëtare dhe ndërkombëtare të jetë e angazhuar në hartimin dhe zbatimin e projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Kjo sepse, siç specifikohet edhe në Ligj: “Kompleksi Memorial Adem Jashari në Prekaz ka rëndësi ontologjike, antropologjike, historike, kulturore e qytetare për Skenderajn, Drenicën, Kosovën dhe tërë Kombin Shqiptar”, u shpreh kryeministri Kurti.

Komiteti Ndërministror për koordinimin e procesit, përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të implementimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, përbëhet nga: Sh. T. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hekuran Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Bekim Jashari, Kryetar i Komunës së Skenderajt, Emin Lati, përfaqësues nga OVL e UÇK-së, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, drejtori i Muzeut të Kosovës, drejtori i Institutit të Historisë, drejtori i Institutit Albanologjik, si dhe Arbër Sadiki, përfaqësues nga Shoqata e Arkitektëve.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës,

Ministri Çeku, Ministri Aliu, Ministrja Hajdari, Ministri Murati,

I nderuari kryetar i Komunës së Skenderajt, z. Bekim Jashari,

Të nderuar përfaqësues dhe drejtues të institucioneve,

Mirë se e gjejmë njëri-tjetrin në këtë mbledhje të parë të Komitetit Ndërministror për Koordinimin e Procesit për zgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të implementimit të Projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, mbledhje kjo e cila po mbahet sot më datë 12 maj 2021.

Më lejoni që fillimisht ta bëj hapjen e kësaj mbledhjeje shumë të rëndësishme me një fjalë rasti për këtë fillim të ri, konkret, por edhe vazhdimësi e preokupimeve e planeve të mëhershme për qëllimin e përbashkët.

Projektin për kompleksin memorial “Adem Jashari” kemi vendosur ta trajtojmë në nivelin e seriozitetit që e meriton, pra, në nivelin më të lartë.

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do t’i prijë këtij procesi dhe bashkë me juve anëtarë të respektuar, ministra e drejtues të institucioneve të rëndësishme shtetërore, do ta bëjmë realitet atë që nuk u realizua për vite me radhë. Koncepti i paraprinë projektit, andaj duhet të vendosim se çka dhe pse, para se të vendosim si, sa dhe kur.

Tërësia e monumenteve të një vendi, janë historia e tij në imazh publik, imazh i lexueshëm ngado. Deri tani puna e komisioneve, bordeve dhe artistëve ka qenë e shpërndarë. Emrat e rrugëve, shkollave dhe institucioneve të tjera, marrin përsipër të thonë edhe historinë e vendit, edhe historinë e veprimtarive specifike që kryen një popull e një shoqëri.

Së bashku me monumentet, bustet, statujat, komplekset memorialë kanë për qëllim t’i japin peshë historike të përditshmes sonë.

Në një farë mënyre, kudo ku emërtohen institucione dhe vendosen pllaka apo buste e përmendore kanë për qëllim ta mbrojnë historinë nga pesha e së përditshmes. Por, gjithashtu, ta krahasojnë qeverisjen dhe pushtetin e sotëm me vlerat e përcaktuara përjetësisht nga më të mirët, ata që janë përcaktuar të tillë nga aktet dhe jetët e tyre të përveçme.

Por, ajo që kemi parë të realizohet deri tani është shpesh privatizimi i personaliteteve dhe ngjarjeve historike. Ky privatizim nuk ka ardhur vetëm nga ndjeshmëria e organizatave të ndryshme, por dhe nga neglizhenca e institucioneve në përgjithësi, jo vetëm nga dëshira e të afërmve për të parë të rimëkëmbet vlera e dëshmorit apo patriotit, por edhe nga shpejtësia me të cilën ngrihet një emër dhe ngadalësia për një emër tjetër patrioti.

Respektit historiografik të më të mirëve mes nesh ia ka zënë vendin jo rrallë zgjidhja private, ose prej shoqatave e donatorëve të financimit, përzgjedhjes së artistit, realizimit dhe zgjedhjes së vendit.

Do të mjaftonte t’iu drejtoheshim ekspertëve të urbanizmit dhe historianëve të artit, apo edhe historianëve shkurt, e t’iu kërkonim që në fillim ndërtimin e disa standardeve mbi rolin e memorialëve në psikikën kolektive, dhe do të kishim pasur me kohë një politikë integrale dhe institucionale për lartësimin e personaliteteve të historisë, pa dështime.

Dhe pa dashjen tonë, mund të kishim marrë edhe komente nga të huajt që punojnë në fushën e kulturës së imazhit dhe arteve të instalacionit.

Syri i të huajit është shumë i rëndësishëm. Ne nuk i realizojmë monumentet dhe arkivat tona vetëm për vete, por për t’ua ekspozuar ato edhe të huajve. Besoj që më kuptoni drejt në këtë pikë. Ne duam që monumentet tona t’u bëjnë më së pari përshtypje brezave të rinj, që nuk i kanë jetuar ngjarjet dhe datat e larta, të huajve në kuptimin e parë të fjalës, të atyre që nuk e kanë jetuar vuajtjen tonë.

Në raste të rralla ne hasim vepra të cilësisë së lartë, zgjidhje dhe kompozime që tronditin me forcën e tyre. Në raste edhe më të rralla ne hasim vendosje frymëzuese në hapësirë. Monumentet e çdo tipi janë dëshmia integrale e historisë kombëtare, por le të mos harrojmë: ata janë elementët përbërës të trashëgimisë universale që ne i propozojmë botës.

Le ta them me një shembull që është edhe pika e thyerjes për perceptimin tonë artistik dhe ndjesor: familja Jasharaj, bëma e saj historike, vetëmohimi i saj radikal, janë gurthemeli historik për sjelljen tonë në të gjitha kohërat që do të vijnë. Por, më shumë se kaq, vetëmohimi i familjes Jasharaj është një shembull botëror i flijimit për liri në çdo cep të botës. Me këtë në mendje ne do të ishim të qartë se çka na duhet.

Po shtoj edhe një pikë tjetër vlerësimi për të qenë edhe më i qartë: nëse ne do të ndërtonim një ligj apo një reformë ekonomike, të gjithë në mënyrë të natyrshme do të më propozonin edhe ekspertë të huaj. Ajo që më bën përshtypje është fakti se kur bëhet fjalë për zhvillimin artistik në kompozim, në vendosjen në hapësirë, shoqërimin me atmosferë të një vepre, nuk i shkon fort mendja njeriut të thotë se kemi nevojë për ekspertizë të huaj. Athua se ekonomia dhe ligji janë fusha të hapura dhe arti e kultura janë përvoja ndjesore të mbyllura? Kjo ndodh sepse ne takojmë në vendin tonë shumë të huaj që merren me ligj e ekonomi, por shumë pak që merren me histori arti dhe politika kulturore.

Kështu që, ngaqë nuk ndeshim njerëz të tillë, mendojmë se arti, urbanizmi që i shërben kulturës dhe historisë janë aftësi dhe ndjeshmëri të lagjes, ndërsa ekonomia e ligji janë dije botërore. Këtej e tutje është mirë t’i respektojmë heronjtë tanë të mendimit dhe veprimit, jo më si njerëz të shoqërisë së mbyllur, por si personalitete botërore.

Andaj, propozoj të rishohim paradigmën historiografike dhe urbaniste të sjelljes sonë me heronjtë tanë jo më vetëm sipas vetes, por edhe sipas një syri të huaj. Veprat mbi personalitetin tonë historik nuk janë pasuri private kombëtare, por pasuri universale kombëtare. Si shembull, i cili do të na orientojë të sillemi në mënyrën e duhur me tërësinë e monumenteve të shpërndara nëpër Kosovë, dhe më tej nëpër trojet shqiptare, po e zgjedh objektin për të cilin jemi mbledhur sot këtu bashkë.

Është bërë një punë e mirë për kompleksin, është bërë një përpjekje për mbrojtjen e kullës nga elementet atmosferikë, është bërë një paraqitje fisnike e varreve, është bërë një ekspozim i mirë në tërësi i këtyre varreve. Por po ju adresoj në një strategji thelbësore: Adem Jashari, Baca Shaban e Hamza dhe e gjithë familja Jasharaj kanë kryer një vepër të pakrahasueshme në rendin botëror.

Ne duhet të gjejmë mundësitë që brenda kompleksit, një prej veprave, në llojin e monumentit, mos të vijë prej shoqërisë sonë, por nga një prej artistëve më të njohur në botën aktuale. Një pjesë e turizmit më të rëndësishëm gjeopolitik, ai kulturor, viziton vende ku kanë lënë gjurmët dhe veprat e tyre artistët më të mëdhenj.

Na duhet modestia më e lartë kur flasim për familjen Jasharaj. Ose, edhe le ta themi ndryshe: Presidentin e zgjedhim ne, kryeministrin e zgjedhim ne, deputetët e ministrat i zgjedhim ne, andaj dhe modestia nuk duhet të jetë e rendit absolut. Secili mund aspirojë të bëhet deputet e kryeministër. Por, hero nuk bëhet vetëm sepse dëshiron. Bëhet në një farë mënyre nga kombinimi i subjektivitetit të tij me rrethanën botërore të një kombi, sado i vogël qoftë ky komb e sado i thjeshtë qoftë njeriu që është brenda heroit.

Heroi është një infleksion në historinë lokale të botës. Andaj për këtë hero, duhet të gjejmë një artist që sjell këtu turistin më të ditur. Turisti më dijetar dhe më i informuar do të vijë për të parë veprën e artistit të madh, pastaj do ta njohë, kuptojë dhe shpërndajë aktin e madh të heroit. Sa për shembull, Guernikën e bënë të njohur sa masakra dhe viktimat, po aq fakti që e ka kthyer në vepër të vet Picasso.

Së bashku punën do ta bëjmë në mënyrë profesionale, transparente, gjithëpërfshirëse dhe me integritet të lartë politik. Do të sigurohemi që ekspertiza më e mirë kombëtare dhe ndërkombëtare të jetë e angazhuar në hartimin dhe zbatimin e projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Kjo sepse, siç e specifikon qartë edhe neni dy i Ligjit: “Kompleksi Memorial Adem Jashari në Prekaz ka rëndësi ontologjike, antropologjike, historike, kulturore e qytetare për Skenderajn, Drenicën, Kosovën dhe tërë Kombin Shqiptar”.

Jemi të vetëdijshëm për kompleksitetin e këtij projekti, prandaj do të jemi maksimalisht të kujdesshëm. Do t’u japim kohë procedurave, por kohë nuk do të humbim. Jemi të përkushtuar të realizojmë projektin me të gjitha elementet përbërëse: pjesën e varrezave, konservimin e Kullave të rezistencës dhe bunkerit, objektin e informacionit, amfiteatrin veror bashkë me objekte përcjellëse të tij, muzeun, shtatoren e Adem Jasharit, obeliskun, objektin për Gardën ceremoniale të FSK-së, vend parkingun, parkun e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, zhvendosjen e disa shtëpive të lagjes Jashari, përfshi edhe shtëpitë e familjes Jashari dhe objekte tjera të nevojshme.

Pra, na presin shumë punë, në një projekt shumë të rëndësishëm, ku përgjegjësia jonë është e lartë, por jam i bindur që me vullnetin që kemi, me këtë Komitet Ndërministror që kemi formuar, me ekspertët e artistët në vijim, do t’ia dalim së bashku. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Milatoviq kërkon drejtësi për vrasjet e shqiptarëve në Mal të Zi më 1999 – propozon edhe ngritjen e një memoriali

Milatoviq kërkon drejtësi për vrasjet e shqiptarëve në Mal të Zi më 1999 – propozon edhe ngritjen e një memoriali

Lajme
Eurodeputeti holandez: Provokime fëmijërore dhe të rrezikshme nga Serbia – zv.drejtori i policisë të lirohet menjëherë

Eurodeputeti holandez: Provokime fëmijërore dhe të rrezikshme nga Serbia – zv.drejtori i policisë të lirohet menjëherë

Lajme
Moti i keq nxjerr në bregdet grumbuj me mbetje plastike në Durrës, ndotja e mjedisit problem për qytetin turistik

Moti i keq nxjerr në bregdet grumbuj me mbetje plastike në Durrës, ndotja e mjedisit problem për qytetin turistik

Lajme
Qeveria e RMV-së vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Qeveria e RMV-së vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Lajme
Sveçla: Dejan Jankoviq është dërguar në paraburgim për 48 orë

Sveçla: Dejan Jankoviq është dërguar në paraburgim për 48 orë

Lajme
“Deri kur?”, Shqiprim Arifi dënohet nga Gjykata e Vranjës me rreth 500 euro për vendosjen e flamurit kombëtar në selinë e partisë

“Deri kur?”, Shqiprim Arifi dënohet nga Gjykata e Vranjës me rreth 500 euro për vendosjen e flamurit kombëtar në selinë e partisë

Lugina
Kalo në kategori