Kurti: Kjo është fitorja më e madhe në historinë e vendit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka dalë në konferencë për shtyp pas fitores së LVV-së në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke e cilësuar rezultatin si historik dhe duke ftuar partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvendin e Kosovës.
Kurti ka deklaruar se kjo është fitorja më e madhe në historinë e vendit, duke theksuar se rezultatet preliminare tregojnë se ajo mund të tejkalojë edhe fitoren e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
“Më 28 dhjetor 2025 fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Kjo është fitorja më e madhe në historinë e vendit. Rezultati na tregon qartë se duhet të ecim përpara pa vonesa, të krijojmë institucionet sa më shpejt dhe të vazhdojmë punën e mirë dhe projektet e metejshme”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërpartiak, veçanërisht për miratimin e ligjeve të rëndësishme dhe ligjeve ndërkombëtare, duke theksuar rolin e Kuvendit në funksionimin institucional të vendit.
"Ftoj partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet e mira që do t’i procedojmë dhe për interesin publik të qytetarëve”, tha Kurti.
Kurti ka ftuar partitë opozitare që të kontribuojnë në Kuvendin e Kosovës për kalimin e ligjeve kyçe, duke theksuar se proceset e rëndësishme shtetërore kërkojnë dialog dhe përgjegjësi të përbashkët.






























