(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është informuar përmes mediave për dekretin lidhur me shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Në një konferencë për media, Kurti shprehu keqardhje për mungesën e pjesëmarrjes së deputetëve të opozitës në seancën e Kuvendit të mbajtur për zgjedhjen e presidentit të vendit.


Ai bëri të ditur se për këtë çështje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke kërkuar interpretim lidhur me procedurat kushtetuese.

Sipas tij, nga momenti i fillimit të procedurave për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta parasheh një afat prej 60 ditësh që duhet të kalojnë para se të mund të shpërndahet Kuvendi.

“Ka afat 60-ditor për t’u zgjedhur presidenti dhe ne kemi qenë në sallën e Kuvendit vetëm 30 minuta”, tha Kurti.

"Nuk është përmbushur kriteri prej 60-ditësh, nuk jemi më 5 maj sot, por më 6 mars", shtoi ai.“Nuk është përmbushur kriteri prej 60 ditësh për t’u shpërndarë Kuvendi”, deklaroi Kurti, duke theksuar se procesi duhet të zhvillohet në përputhje me afatet dhe rregullat kushtetuese.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se po vëren një zell të shtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por sipas tij, ato nuk do ta zgjidhin situatën politike në vend.

Kurti theksoi se zgjedhjet e përsëritura do të kishin edhe kosto të konsiderueshme financiare.

“Në këtë situatë unë shoh një zell për zgjedhje të reja. Por nuk shoh se zgjedhjet e përsëritura do të jenë zgjidhje e problemit dhe së paku do të kushtojnë rreth 10 milionë euro”, tha ai.

Sipas tij, edhe nëse mbahen zgjedhje të reja, nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha në rezultatin politik.

“Nuk shoh që do të ketë diferenca të mëdha. Mund të ketë ndonjë lëvizje të vogël”, u shpreh Kurti./Telegrafi/