Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si “një sukses të madh” përfundimin me sukses të projektit për modernizimin e njësisë prodhuese B2 në Termocentralin “Kosova B”.

Në një postim në rrjete sociale, Kurti tha se ky është projekti më i rëndësishëm i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe investimi më i madh në Termocentralin “Kosova B” që nga ndërtimi i tij, duke siguruar stabilitet afatgjatë të furnizimit me energji elektrike për gjithë vendin.


“Me përmbylljen e suksesshme të punimeve për modernizimin e B2, që kishin nisur në prill, kemi rritur kapacitetin prodhues për rreth 35 megavatë, pa ndryshuar parametrat bazë të funksionimit,” deklaroi Kurti.

Sipas tij, efikasiteti i sistemit është rritur falë teknologjisë së re dhe modernizimit të turbinës, që mundëson prodhim më të madh me më pak konsum të energjisë së brendshme.

Gjithashtu, është ulur ndjeshëm konsumi i thëngjillit – nga 1.3 ton në 1.15 ton për MWh, çka sipas Kurtit tregon përmirësim të dukshëm në procesin e konvertimit të energjisë.

“Për të njëjtën sasi të energjisë së prodhuar, ndotja është më e ulët, ndërsa jetëgjatësia e njësisë është shtuar për rreth 20 vjet. Cikli i mirëmbajtjes së pajisjeve të reja është shtyrë nga 6 në 9 vjet, duke kursyer miliona euro dhe duke garantuar stabilitet afatgjatë,” shtoi ai.

Kryeministri në detyrë u shpreh mirënjohës ndaj punëtorëve, menaxhmentit, bordit të KEK-ut dhe Ministrisë së Ekonomisë për këtë arritje.Ai njoftoi gjithashtu se, gjatë ditës së vizitës në KEK, Kosova po eksportonte energji elektrike, pasi konsumi vendor po mbulohej plotësisht me prodhimin e brendshëm.