Kurti komenton pezullimin e Dialogut Strategjik nga SHBA: S’mund të bëj kompromise me sundimin e ligjit në veri

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se arsyeja e pezullimit të Dialogut Strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së ka të bëjë me aksionet e institucioneve kosovare në veri kundër strukturave ilegale serbe.
“Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe, dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, tha Kurti gjatë një bashkëbisedimi.
Ai theksoi se raporti Kosovë–SHBA është i ndërtuar mbi tri shtylla: mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci. Sipas tij, në mbrojtje dhe zhvillim marrëdhëniet janë të shkëlqyera, por në diplomaci ekzistojnë “disa pengesa”.
Kurti shtoi se SHBA-ja e sheh si me rëndësi të madhe shkëputjen e Serbisë nga ndikimi i Moskës, ndërsa vendimi i Kosovës për të mos bërë kompromise me sundimin e ligjit në veri, sipas disa politikanëve dhe diplomatëve amerikanë, shihet si pengesë për këtë qëllim.
“Ne jemi të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial. Por sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im. Detyra ime është të përfaqësoj interesat e Kosovës”, u shpreh Kurti.
Më 12 shtator, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka sqaruar arsyet e pezullimit të Dialogut Strategjik me Kosovën, duke theksuar se vendimi lidhet me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve në vend.
Në një njoftim për media, Ambasada amerikane tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, thuhet në reagim, pa dhënë hollësi se cilat ishin konkretisht veprimet dhe deklaratat në fjalë.




















































