Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ndodhet në një moment historik transformimi, me investime që tejkalojnë 500 milionë euro, të cilat synojnë modernizimin, qëndrueshmërinë dhe harmonizimin e plotë me standardet e Bashkimit Evropian.

Kurti theksoi se modernizimi i turbinave dhe investimet tjera në njësitë B1 dhe B2, rehabilitimi i thellë i njësisë A3, si dhe investimet madhore në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, përbëjnë hapa kyç për sigurinë energjetike të vendit. Një risi e rëndësishme, sipas tij, është edhe hyrja për herë të parë e KEK-ut në sektorin e energjisë së ripërtritshme përmes parkut solar.


Me përfundimin e këtyre projekteve, Kosovës pritet t’i shtohen rreth 150 megavat kapacitete shtesë në termocentralet ekzistuese dhe 100 megavat kapacitete të reja gjeneruese nga burimet e ripërtritshme.

Kryeministri bëri të ditur se që nga 19 dhjetori, KEK-u është duke prodhuar me kapacitet maksimal, me pesë njësi gjeneruese aktive, për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji gjatë ditëve të ftohta të fundvitit dhe fillimvitit, kur konsumi është i lartë.

Në fund, Kurti falënderoi punonjësit dhe menaxhmentin e KEK-ut për punën dhe profesionalizmin, si dhe Bordin e Drejtorëve dhe Ministrinë e Ekonomisë për mbikëqyrjen dhe përkrahjen në realizimin e këtyre projekteve.

“KEK-u sot po forcon themelet e energjisë së të ardhmes – një KEK më i fortë, më modern, më i sigurt dhe më i gjelbër, në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të brezave që vijnë”, u shpreh Kurti.