Kurti: Historia e çlirimit të Kosovës është shënjuar nga njerëz dhe familje sikur e Shaban Jasharit

Në 28 vjetorin e sulmit të dytë mbi familjen Jashari nga forcat serbe, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se filmimet e shumta dhe fotografitë e mediave të bëra në Prekaz pas këtij sulmi, shërbejnë si dëshmi edhe sot për atë se çfarë ngjau më 22 janar 1998.
Kurti në një postim në Facebook shkruan se historia e çlirimit të Kosovës është shënjuar pikërisht nga njerëz kurajoz dhe familje të tilla sikur familja e Shaban Jasharit, që me aq vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri.
Lexoni të plotë postimin:
Në 28 vjetorin e sulmit të dytë mbi familjen Jashari
Çdo 22 janar, e kujtojmë ditën e kësaj date të vitit 1998, kur policia serbe e sulmoi për herë të dytë familjen Jashari në Prekaz. Mëngjesin e hershëm të asaj dite, për gjysmë ore, një grup policësh serbë shtiu në breshëri predhash dhe armë automatike ndaj shtëpive të Shaban Jasharit. Duke e mbrojtur familjen dhe shtëpitë e tyre nga ky sulm kriminal, prej brenda shtëpive rezistuan me armë Shabani dhe djali i tij Hamza. Rezistenca e tyre i ktheu mbrapsht policët serbë, por nga plumbat e të shtënave të shumta, u plagosën dy vajza, Selvete dhe Iliriana Jashari.
Filmimet e shumta dhe fotografitë e mediave të bëra në Prekaz pas këtij sulmi, na shërbejnë si dëshmi edhe sot për atë se çfarë ngjau më 22 janar 1998.
Kjo ishte hera e dytë që familja Jashari në Prekaz ishte cak i aksioneve policore, pas aksionit të parë të 30 dhjetorit 1991, datë kjo që vite më pas do të nis të shënohet si Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si më 1991 edhe më 1998, familja Jashari rezistoi e armatosur, duke u kthyer në shembull dhe simbol të rezistencës ndaj regjimit shtypës të Serbisë dhe luftës për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit.
Një muaj e gjysmë më pas, regjimi i Millosheviqit do të ekzekutonte një aksion shumëherë më të egër e më të gjerë ndaj familjes Jashari dhe tërë fshatit Prekaz, gjatë të cilit rezistenca e kësaj familje dhe e këtij fshati do të shënojnë kulmin e saj, duke frymëzuar mijëra njerëz që t’i bashkoheshin UÇK-së.
Historia e çlirimit të Kosovës, është shenjuar pikërisht nga njerëz kurajoz dhe familje të tilla sikur familja e Shaban Jasharit, që me aq vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri.
Mes kujtimesh plot respekt dhe nderimesh të thella për familjen e Shaban Jasharit nga Prekazi i Poshtëm i Drenicës. /Telegrafi/




















































