Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka cilësuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare si fitore të popullit të Kosovës.

Në një konferencë për media, Kurti theksoi se fitorja e LVV-së tregon qartë nevojën për të ecur përpara me formimin e institucioneve dhe për certifikimin sa më të shpejtë të rezultateve.


“Me 9 shkurt sivjet fitoi LVV-ja me partnerët, më 28 dhjetor 2025 fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit. Tash na presin shumë punë përpara dhe rezultati i sotëm na ka bërë të qartë se duhet të ecim përpara pa vonesa. Sa më parë që certifikohen rezultatet, aq më shpejt duhet t’i krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë me punën dhe projektet e nevojshme”, tha Kurti.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, LVV-ja ka marrë 49.74% të votave, pa përfshirë votat me kusht, të personave me aftësi të kufizuara dhe ato nga diaspora.

Kurti ftoi partitë e ish-opozitës për bashkëpunim në Kuvend për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ligjeve që shërbejnë interesin publik.

“Ftoj që partitë opozitare të bashkëpunojnë në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet e mira dhe interesin publik të qytetarëve të Republikës”, tha ai.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit të vendit, Kurti tha se fillimisht do të bisedojë me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, mandati i së cilës skadon në prill 2026, dhe më pas me partitë e tjera në Kuvend.

Ai nënvizoi se miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, që kërkon votën e 80 deputetëve, do të jetë një test i rëndësishëm për bashkëpunimin mes LVV-së dhe partive të tjera, duke ndikuar edhe në zgjedhjen e presidentit.

Kurti foli edhe për marrëdhëniet me Shqipërinë, duke theksuar se bashkëpunimi me shtetin shqiptar do të rritet.

“Ne bashkëpunojmë me Republikën e Shqipërisë me cilëndo qeveri që është aty. I kemi 58 marrëveshje të reja me kryeministrin Rama, dhe niveli i zbatimit të tyre është më i madh se kurrë më parë. Jemi të interesuar që afrimi dhe bashkëpunimi të rritet edhe më shumë”, përfundoi ai./Telegrafi.