Kurti ftesë LDK-së për koalicion, akt dëshpërimi apo strategji politike? - flasin analistët

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dërguar një letër drejt kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, duke i bërë thirrje për një koalicion ndërmjet dy partive.
Në letrën e tij, Kurti ka theksuar se nuk ka pasur asnjë problem personal me Abdixhikun dhe se koalicionet politike bëhen pikërisht ndërmjet subjekteve me dallime, e jo me ngjashmëri të plota.
Megjithatë, kjo ftesë ka nxitur reagime kritike nga skena politike dhe analistët.
Avokati Ardian Bajraktari e ka cilësuar këtë ftesë si të vonuar, duke theksuar mungesën e transparencës gjatë gjithë procesit politik që nga 9 shkurti.
"Ftesa është e vonuar. Procesi ka qenë i karakterizuar nga mungesa e theksuar e transparencës. Janë përmendur takime me NISMËN, por numrat duket se janë të pamjaftueshëm. Në horizont, Kurti dhe VV shohin zgjedhjet e parakohshme dhe kjo ftesë duket më shumë si një tentativë për t’i hedhur fajin dikujt tjetër, para se të shkohet në zgjedhje", tha Bajraktari.
Sipas tij, edhe para se të dërgohej letra, Kurti e ka ditur përgjigjen e mundshme të LDK-së, duke shtuar se çasja e kësaj partie ka qenë konsistente.
Nga ana tjetër, analisti politik Donat Syla ka theksuar se LDK duhet ta refuzojë një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen.
Sipas tij, Abdixhiku ndodhet në një pozitë të ndërlikuar politike.
“Abdixhiku është në një situatë delikate, në një terren të minuar. Edhe nëse Kurti do t’i ofronte postin e Kryeministrit, nuk duhet ta pranojë. Qëllimi i Kurtit është që elektorati i LDK-së të shkrihet në Vetëvendosje. Memoria është e freskët – kemi parë çfarë ndodhi me koalicionin e shpresës”, u shpreh Syla.


















































