Kurti: Të akuzuarit për sulmin në Ibër–Lepenc janë pjesë e strukturave ilegale serbe dhe të lidhur me Radoiçiqin

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me shpërthimin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, të ndodhur më 29 nëntor 2024.
Kurti theksoi se hetimet janë realizuar pas një bashkëpunimi të ngushtë mes institucioneve të inteligjencës dhe sigurisë së Kosovës dhe FBI-së nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, të akuzuarit kanë qenë në vendin e ngjarjes natën kritike dhe janë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë, të lidhura me terroristin Millan Radoiçiq dhe struktura të tjera shtetërore serbe që planifikuan dhe urdhëruan sulmin.
“Integriteti territorial dhe sovraniteti i shtetit tonë, si dhe sundimi i rendit dhe ligjit për të gjithë qytetarët, janë vlera jetike për të cilat angazhohemi çdo ditë. Rasti i fundit dëshmon se në Kosovë nuk kalon pa ndëshkim terrorizmi, sado perfid të jetë, dhe nuk mund të kalojë pa u vërejtur dhe dekonstruktuar dezinformimi”, tha Kurti.
Kryeministri falënderoi institucionet e sigurisë, partnerët ndërkombëtarë, përfshirë ShBA-të, dhe qytetarët për kontributin e dhënë në krijimin e një Kosove më të sigurt dhe më të fortë në aspektin ekonomik, ligjor dhe demokratik./Telegrafi/


















































