Kurti dhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së biseduan për arritjen e marrëveshjes me Serbinë
Ai ka thënë se ndër temat për të cilat kanë diskutuar ka qenë edhe planet që marrëveshja Kosovë-Serbi të arrihet gjatë mandatit aktual qeverisës.
“Ishte kënaqësi që të takoja Kurtin dhe Bislimin sot ku diskutuam për një mori çështjes, përfshirë planet për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë gjatë mandatit të tanishëm”, është shprehur Giacobbe, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku është diskutuar për projektin e gazsjellësit, kryeministri Kurti është kritikuar për përkeqësimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lidhur me dialogun me Serbinë, Kurti deklaroi në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, para dy ditësh tha se marrëveshja me Serbinë pritet të arrihet në mandatin e tij.
“Unë nuk mund të parashikoj se kur do të ndodhë, por nëse kemi parasysh që mandati i presidentit amerikan, (Joe) Biden, mandati i zëvendëskryetarit të Komisionit Evropian, Borrell dhe mandati im përafërsisht do ta kenë të njëjtën kohëzgjatje, është e pritshme që në kuadër të këtyre mandateve, që në kohë janë pak a shumë të njëjta, ta përmbyllim marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë. Pra, te ne ekziston vullneti dhe interesimi, varet a ekziston gatishmëria te Serbia”, deklaroi Kurti. /Telegrafi/






























