Pastrimi i shtëpisë mund të marrë një pjesë të madhe të kohës suaj, sidomos nëse dëshironi t’i jepni çdo qoshe dhe cep një pastrim të mirë.

Ndërkohë që mund të mendoni se makina e larjes së enëve është vetëm për pjata, ka disa sende në shtëpi që mund të lahen në makinë për t’ju kursyer energji dhe për të reduktuar orët që kaloni duke pastruar.


Frigoriferi është një zonë e shtëpisë që duhet të qëndrojë i pastër pasi aty ruhet ushqimi. Ka disa debate mbi sa shpesh duhet të pastrohet – sipas Essential Food Hygiene, duhet të dezinfektohet çdo javë, ndërsa Martha Stewart dhe Which.com sugjerojnë një pastrim të thellë çdo tre muaj.

Në vend që të përkuleni dhe të lodhni krahët për të arritur në cepat e ndarjeve të frigoriferit, si ato në dyer, në fakt mund t’i nxirrni ato dhe t’i vendosni në makinën larëse të enëve.

Influencuesja e pastrimit Georgia, e njohur për më shumë se 166,000 ndjekësit e saj në TikTok si @cleanwithgeorgiia, shpjegoi se kjo do t’ju kursejë shumë kohë.

Ajo tha gjithashtu se pjata prej xhami e mikrovalës mund të futet në makinë gjithashtu, për t’ju kursyer kohë pastrimi në kuzhinë, pasi “ato marrin erë shumë shpejt”.

Pastrimi i sobës mund të jetë një detyrë e vështirë që shumë prej nesh e shtyjmë për muaj me radhë, por mund të bëhet më i lehtë kur mësoni që disa pjesë të saj mund të futen gjithashtu në makinë larëse për t’u pastruar.

Georgia tha: “Mua më duken shumë të vështira për t’u pastruar me dorë, ndaj t’i fusësh në makinë larëse është mënyra më e lehtë. Kjo është perfekte për njerëzit që punojnë gjithë kohën ose që fëmijët nuk i lënë të pastrojnë, ndaj përdorni atë në maksimum”.

Një send që ndotet shpejt është mbajtësja e furçave të dhëmbëve, dhe të gjithë e dimë sa e vështirë është të pastrohet brenda kur është mbuluar me pastë dhëmbësh të tharë dhe papastërti. Duke qenë në thelb një gotë, ajo gjithashtu mund të futet në makinën larëse të enëve për t’ju kursyer përpjekjet për pastrim me dorë.

Së fundi, Georgia shpjegoi se ajo fut në makinë edhe filtrat e kapakut të aspiratorit.

Sigurisht, nëse po e përdorni makinën larëse shpesh, është e rëndësishme të mbani mend ta pastroni edhe atë.

Pas çdo larjeje, duhet të hiqni mbetjet e ushqimeve ose çdo grimcë në fundin e makinës, sipas kompanisë së pajisjeve Whirlpool. Herë pas here, duhet të pastroni filtrin dhe mund të përdorni uthull të bardhë dhe sodë buke, ose një pastrues të posaçëm, për ta mbajtur të pastër dhe të shndritshme. /Telegrafi/