LAJMI I FUNDIT:

Kur vdekja të sheh në sy: Rrëfimi i gruas që e mposhti kancerin

Kur vdekja të sheh në sy: Rrëfimi i gruas që e mposhti kancerin

Ishte ditë e enjte: 15 dhjetori i vitit 2011, kur mu kumtua lajmi të cilin gjatë tërë jetës do ta mbaj në mend. Është kjo dita kur u diagnostifikova me kancer në gji (Invasive Ductal Carcinoma). Kështu nis rrëfimin prekës dhe shpresëdhënës, profesoresha Lindita Rugova. Sëmundja e kishte prekur në moshën 36-vjeçare. Por, vullneti i saj për jetë ishte më i madh se forca e kancerit.

“Marrjen e lajmit e kujtoj si një bombë emocionale, që vlonte përbrenda meje. Mbaj mend momentin kur radiologia në Shkup më tha se po i sheh disa gjëndra tumorale”, flet ajo për Telegrafin.


Doktoresha e cila e trajtonte, dyshimet e saj i shfaqi menjëherë.

“Tha se gjëndrat me shumë gjasa janë malinje, në bazë te strukturës që kanë (forma e tyre në eho)”.

Rugova tregon se kur hyri ne kanalin e ngushtë të rezonancës magnetike, ka qarë më zë, meqë kishte nevojë që të çlirohej emocionalisht.

“E laga me lot jastëkun. Kur dola jashtë, thash: prej këtij momenti më nuk do ta nxjerr asnjë lot, por do ta luftoj këtë sëmundje”.

Lindita Rugova 1

Familjarëve ajo nuk ua tregoi të vërtetën. Tha se kishte një gjëndër tumorale. Vajza e saj ishte trevjeçare, djali 11 vjeç, ndërsa prindërve vendosi t’ju flasë për këtë pas operimit.

“Nëna ishte e operuar në zemër dhe kishte pësuar një infarkt. Kisha frikë mos e rëndoja më tepër me këtë lajm. Mjekët në Shkup më thanë se kur të bëhet operimi dhe e marrim rezultatin e biopsisë, do të jemi më të sigurt për rezultatin përfundimtar”.

Profesoresha tregon për reflektimin pozitiv që kishte doktori i rastit në motivimin e saj, që ajo të mos ndalet në betejën kundër kancerit.

“Mjeku më priti ngrohtë, me plot fjalë të mira e buzëqeshje. Më bëri shumë optimiste, sa që kur dola nga zyra e tij thashë: Hajt se asgjë nuk qenka; këtë sëmundje e rrëzoj për toke”.

Ky mjek i kishte premtuar se sëmundja do të kalojë dhe se ajo do të vallëzonte në dasmën e vajzës.

“Nuk e dija se çfarë më priste. Ndaj, nuk më pëlqente kur njerëzit me pyesin: A je shëruar plotësisht? Kjo sëmundje diagnostifikohet, trajtohet, dhe pacienti mund të shërohet ose jo plotësisht. Por, duhet kohë dhe përcjellje e vazhdueshme”.

Rugova ka theksuar se asnjëherë nuk ka bërë PET-Scan (skanim nuklear, imazhet e së cilës e vlerësojnë funksionimin normal ose jo të qelizave në trupin e njeriut) e ku vërehen edhe celulat më të vogla kancerogjene, sepse mjeku i thoshte: “Nuk ke nevojë, ta kemi hequr kancerin plotësisht nga trupi”!

“Kam pasur besim të plotë të mjekët, por është edhe ai momenti kur nuk dëshiron më të merresh me sëmundjen, sepse e ke çliruar kokën nga dyshimet. Përderisa nuk ke ankesa, konsideron se kjo ka përfunduar. Ndjenja e frikës nuk hiqet asnjëherë, por preokupimi me jetën dhe përditshmërinë ka bërë që të mos mendoj për sëmundjen. Sa herë që ndjenja e dyshimit më del në pah, përpiqem ta mposhti me gjërat tjera që më bëjnë të lumtur dhe të zënë me punë”.

Profesoresha tregon se nënës nuk i kishte treguar se po i nënshtrohet operacionit, por se gjoja po shkonte në një konferencë në Tiranë.

“Kur u ktheva në shtëpi u tregova prindërve që isha operuar dhe se ishin disa gjëndra beninje. Nuk ua thash prapë të vërtetën”.

Pasi kishte filluar të trajtohet me kimioterapi, asaj filluan t’i bien flokët. Ajo kishte blerë paruke, ndërsa shton se ky fakt nuk e pengonte.

“Një javë pushoja nga kimio, sepse ma mundonte lukthin. Pastaj dy javë shkoja rregullisht në punë. Isha në mandatin tim të parë si prodekane për mësim dhe njëherësh i ligjëroja tri lëndë në Departamentin e Anglishtes”.

Rugova ka thënë se kimioterapia është pjesa më e vështirë e gjithë kësaj pune, sidomos nëse të shkakton efekte anësore, siç ka ndodhur me të me: hipertension, toksifikim të mëlçisë dhe obesitet.

“Asnjëherë nuk jam demoralizuar. Ka pasur momente kur kam qarë në vete dhe tinëz familjes, për disa sekonda, por e demoralizuar asnjëherë. Gjatë kohës kur e merrja kimioterapinë, për shkak të mundimit të madh që ma shkaktonte, shpeshherë fëmijët i dërgonim te gjyshet që të mos më shihnin në atë gjendje. Ka qenë një moment që më pati prekur shumë, por që prapë nuk më ka demoralizuar. Vajza ime trevjeçare e pa një mike timen me flokë të gjata, dhe e pyeti: A bëhesh t’i mami im, sepse mami im nuk ka flokë. U ndjeva shumë keq dhe në brendi digjesha nga mërzia. Por, më duhej ta kapërdija dhe të vazhdoja përpara. Sepse, ndjeja se kjo gjendje ishte e përkohshme”.

Lindita Rugova 3

Sipas saj, në momente të tilla nuk bën të mendohet për sëmundje, sepse kjo të kalon në obsesion, por “duhet të jetohet jeta, pa menduar shumë se çfarë do të ndodhë”.

Ajo tregon se shpenzimet financiare vazhdojnë të jenë të mëdha, meqë vazhdimisht kujdeset që mos lejojë vetën të mos përsëritet gjendja e dikurshme.

“E mbaj mend një rast të keq, kur një person me pyeti se ku i kam marrë terapitë. I tregova se në QKUK. Personi në fjalë, që shërohej jashtë, ma ktheu: Unë s’i kam marrë aty, sepse janë të vjetruara dhe me afat të skaduar. Po të mundja, në atë moment do t’ia jepja një flakaresh, por ja që u përmbajta dhe nuk i thashë gjë. Nuk duhet bërë asnjëherë krahasime dhe nuk duhet nxjerrë paralele midis pacientëve, sepse secili është i veçantë, ashtu siç secili tumor është specifik”.

Rugova tregon se asnjëherë nuk ka qenë e izoluar, duke shtuar se ka folur për sëmundjen si për diçka të rëndomtë.

“Flas për të si për një heqje dhëmbi, ose si për një plagë gjatë lojës si fëmijë. E marr normale dhe shumë të zakonshme. Kështu duhet ta perceptojmë, që të mos i fiksohemi”.

Ajo tregon se nuk ka menduar asnjëherë se vdekjen e ka afër, por se si nënë nuk mendon vetëm për veten, po edhe për fatin e fëmijëve të tu.

“Përpiqesha t’i shijoja momentet ashtu siç vinin. E shfrytëzoja dhe shfrytëzoj çdo moment që kam për të udhëtuar me fëmijët, për të shëtitur dhe për t’ju krijuar çaste që do t’i mbajnë mend përgjithmonë”.

Prej perspektivës së një personi që ka vuajtur nga kanceri, ajo përpiqet të këshillojë dhe ndihmojë moralisht të prekurit nga kjo sëmundje.

“Shumica e grave që takoheshin me mua në spitalin onkologjik, për ta marrë terapinë, mblidheshin rreth meje. Bisedonim, sikur të isha unë ndonjë udhërrëfyes i tyre. Me falënderonin për këshillat dhe kurajon që u jepja”.

Rugova ka thënë se porosia e saj është që të prekurit me kancer të jetojnë në kuptimin e plotë të fjalës, të mos mendojnë për sëmundjen dhe të mësohen së jetuari me të.

“Nëse shërohen, të mos e kthejnë kokën prapa. Mos të merren me detajet, por me gjërat pozitive në jetë. T’i besojnë vetes se munden dhe se do t’ia dalin. Natyrisht, të shkojnë më shpesh te mjeku nëse mendojnë se kanë nevojë për këtë, e mos ta presin momentin e fundit kur mund të jetë vonë. Do të doja që ta jap kontributin tim, në vetëdijesimin dhe në motivimin e pacientëve për të jetuar”, ka thënë Rugova. /Blendi Devolli/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Përshkallëzohet sërish protesta e opozitës, hidhet molotov në derën e Bashkisë

Përshkallëzohet sërish protesta e opozitës, hidhet molotov në derën e Bashkisë

Lajme
“Kryeministër si 2, si 7, si 27, është ngacmim seksual”, Lëvizja Studentore Feministe me aksion simbolik

“Kryeministër si 2, si 7, si 27, është ngacmim seksual”, Lëvizja Studentore Feministe me aksion simbolik

Lajme
QKUK-ja bëhet me skanerin PET/CT, donacion nga organizata

QKUK-ja bëhet me skanerin PET/CT, donacion nga organizata "Alwaleed Philanthropies Global" në bashkëpunim me Fondacionin “Jahjaga”

Shëndetësi
Dorëzimi i donacioni i PET/CT, Osmani takon princeshën Alsaud – flasin për projektet tjera në interes të qytetarëve

Dorëzimi i donacioni i PET/CT, Osmani takon princeshën Alsaud – flasin për projektet tjera në interes të qytetarëve

Lajme
Kalo në kategori