Mjaftojnë disa llastikë, karfica ose një kapëse që flokët të duken të rregulluar, edhe kur nxehtësia prish çdo plan

Gjatë verës, rrallëkush dëshiron të kalojë shumë kohë para pasqyrës me tharëse ose piastra në dorë. Temperaturat e larta dhe lagështia shpesh e prishin modelin e flokëve vetëm pak minuta pasi dalim nga shtëpia, ndaj zgjidhjet e thjeshta dhe praktike janë më të mirat.


Lajmi i mirë është se me disa llastikë, karfica ose një kapëse mund të krijoni një model flokësh që duket i rregullt dhe elegant, ndërsa përgatitet në më pak se dhjetë minuta.

Kemi përzgjedhur katër modele verore, të cilave mund t’u riktheheni sa herë që dëshironi të dukeni të rregulluara me sa më pak mundim.

Topuzi i ulët

Topuzi i ulët është sinonim i elegancës, por edhe i praktikës, pasi për ta realizuar nuk nevojiten më shumë se disa minuta.

Do t’ju duhen xhel dhe llak për flokë, krehër, llastikë dhe disa karfica. Krehini mirë flokët, ndajini në mes ose anash dhe lidhini në një bisht të ulët e të tendosur.

Më pas, lëmoni fijet e shkurtra përreth fytyrës dhe flokët e bishtit thurini në një gërshet të shtrënguar. Mbështilleni gërshetin ngadalë rreth bazës së bishtit dhe fiksojeni me një ose dy llastikë.

Sipas nevojës, përforcojeni me karfica. Për një pamje më të çlirët, nxirrni disa fije të holla që të kornizojnë fytyrën, transmeton Telegrafi.

Gjysmëbishti

Gjysmëbishti është një tjetër zgjedhje e bukur dhe praktike, veçanërisht gjatë muajve të verës.

Ky model duket shumë mirë në flokë me teksturë natyrale. Pas tharjes, mos i stiloni me pajisje të nxehta, por përdorni pak shkumë për flokë, në mënyrë që të krijoni efektin e valëve sikur sapo keni dalë nga deti.

Ndani pjesën e përparme dhe të sipërme të flokëve dhe lidheni në një gjysmëbisht. Mund ta krijoni të lëmuar dhe të rregullt, por duket po aq bukur edhe kur fijet nuk janë krehur në mënyrë të përkryer dhe pamja është më e shkujdesur.

Gërsheta, sa më shumë gërsheta

Me gërshetat është pothuajse e pamundur të gaboni. Ato duken bukur në shumë variante, ndërsa gjatë verës më praktiket mbeten modelet klasike, pa ndërlikime të panevojshme.

Mund t’i mblidhni të gjitha flokët dhe t’i thurni drejtpërdrejt në një gërshet, duke i fiksuar vetëm me një llastik. Mundësia tjetër është që fillimisht të krijoni një bisht të ulët dhe më pas ta thurni pjesën e mbetur.

Varianti i parë duket më i çlirët dhe më natyral. Mund ta lironi pak gërshetin dhe të nxirrni disa fije përreth fytyrës, duke krijuar një pamje verore të shkujdesur, por të rregullt.

Kaçurrela të krijuara gjatë natës

Për realizimin e këtij modeli ju nevojiten vetëm rreth dhjetë minuta, por flokët duhet të qëndrojnë të mbështjellë për disa orë.

Përdoret një rrip ose rul sateni për kaçurrela pa nxehtësi, rreth të cilit mbështillen flokët. Procesi është shumë i thjeshtë dhe zgjat vetëm pak minuta.

Pasi të flini me flokët e mbështjellë ose t’i mbani ashtu për disa orë, lirojini kaçurrelat, shkundini lehtë me gishta dhe fiksojini me pak llak.

Rezultati janë flokë të valëzuar, me vëllim dhe pamje sikur sapo keni dalë nga salloni, pa përdorur tharëse, piastra ose pajisje të tjera të nxehta.

/Telegrafi/