Shkëndija nga Haraçina ka realizuar një befasi të madhe në Kupën e Maqedonisë, duke eliminuar një ekip të Ligës së Parë, Pelisterin nga Manastiri, me rezultat 1-0 dhe duke siguruar vend mes tetë skuadrave më të mira të garës, njofton Telegrafi.

Ndeshja, e zhvilluar në stadiumin e lagjes Hasanbeg në Shkup, u kontrollua nga skuadra vendase. Goli vendimtar erdhi në minutën e 51-të, kur Arsim Lamallari, ishte më i lart në kërcim në një goditje këndi, shënoi me kokë. Pelisteri krijoi disa mundësi deri në fund, por nuk arriti të gjejë rrugën drejt portës, duke e bërë këtë fitore të rëndësishme për Shkëndijën nga Haraçina. Rivalin e radhës Shkëndija do ta mësojë në shortin që do të organizojë Federata e Futbollit të Maqedonisë.


Ndërkohë, Struga Trim & Lum u kualifikua për çerekfinale me një fitore të qartë 5-0 ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit në Shkup. Ivkoviç hapi rezultatin pas një pasimi të saktë nga Fal, pas aksionit të nisur nga kapiteni Shabani. Në fillim të pjesës së dytë, Arbi Vosha shënoi golin e dytë me një goditje të saktë. Basiru Kompaore realizoi golin e tretë në minutën e 76-të, ndërsa Hristijan Maleski dhe Stefan Jevtovski vulosën rezultatin përfundimtar 5-0. Struga vazhdon rrugëtimin në Kupë, pasi vitin e kaluar arriti në finale ku humbi ndaj Vardarit.

Në një tjetër ndeshje, Bashkimi u përball me Sileksin në “Stadiumin e Qytetit” në Kumanovë. Takimi nisi me një gol spektakolar të Darko Dodev në minutën e 4-t,nga një ditancë mbi 15 metra. Para pushimit të pjesës së parë, Kumanova barazoi me një gol të Marko Simonovskit. Nikoliq shënoi golin e fitores pë mysafirët.

Rabotniçki ka siguruar kualifikim vetëm pas goditjeve nga penalltia, pasi ndeshja në kohën e rregullt kishte përfunduar 1-1 ndaj Bregallnicës.

Ndeshjet e radhës:

Vardari – Novaci luhet nesër, e mërkurë, 22 tetor 2025, ora 14:00.

Për shkak të angazhimeve në Ligen e Konferencës, ndeshja Shkëndija (Tetovë) – Tikveshi do të zhvillohet më 19 nëntor 2025, e mërkurë, ora 13:00.

Dy skuadra, Detoniti dhe Ohri, janë kualifikuar automatikisht në çerekfinale./Telegrafi/

telegrafi sport app