Kupa e Botës, Olimpiada ... po vijnë në Amerikë - por, një pengesë burokratike rrezikon boshatisjen e stadiumeve

Nga: Sydney Kamlager-Dove dhe Young Kim / Newswekk
Përkthimi: Telegrafi.com
Ka nisur numërimi mbrapsht për turneun më të madh të futbollit në botë. Këtë javë, Shtetet e Bashkuara janë në qendër të vëmendjes për shortin e Kupës së Botës FIFA 2026 - ku do të përcaktohen ndeshjet e fazës së parë. Me 48 kombe që garojnë për çmimin më të madh në futboll - 32 vende ishin në vitin 2022 - FIFA26 do të jetë Kupa më e madhe e Botës në histori.
Kupa e Botës FIFA 2026 është vetëm një nga garat madhore ndërkombëtare të cilat ShBA-ja do të mirëpresë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm, përfshirë Lojërat Olimpike dhe Paralimpike të Verës 2028, Kupën e Botës në Ragbi për meshkuj 2031 dhe për femra 2033, si dhe Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore 2034. Këto ngjarje janë mundësi që vijnë një herë në një brez për ShBA-në, për të sjellë përfitime të qëndrueshme ekonomike në komunitetet anembanë vendit, ndërkohë që vendi shkëlqen në skenën botërore.
Masa më e vërtetë e suksesit e një ngjarjeje sportive është stadiumi i mbushur me tifozë nga e gjithë bota. Megjithatë, teksa Shtetet e Bashkuara përgatiten për atë që po quhet “Dekada Amerikane e Sportit”, një pengesë burokratike rrezikon ta minojë suksesin tonë: vonesat në lëshimin e vizave për udhëtarët.
Si anëtare dypartiake të Kongresit nga Kalifornia - shteti që pritet të organizojë më shumë ngjarje sportive ndërkombëtare në dekadën e ardhshme - nuk mund të theksojmë mjaftueshëm potencialin e jashtëzakonshëm ekonomik që sjellin këto lojëra ose gabimin kolosal nëse e lëmë këtë mundësi të na shpëtojë nga duart.
Parashikohet që Kupa e Botës 2026 do të sjellë një shifër marramendëse prej 30.5 miliardë dollarësh në prodhimin bruto ekonomik në 11 qytete mikpritëse: Atlanta, Boston, Dallas, Hjuston, Kansas-Siti, Los Anxhelos, Majami, Nju-Jork/Nju-Xhersi, Filadelfia, San Francisco/Zona e Gjirit dhe Sietël. Turneu pritet gjithashtu të mbështesë më shumë se 185 mijë vende pune me kohë të plotë dhe të kontribuojë me mbi 3.4 miliardë dollarë në arkën e qeverisë.
Vetëm dy vjet më vonë, Lojërat Olimpike dhe Paralimpike të vitit 2028 në Los Anxhelos pritet të gjenerojnë 18.3 miliardë dollarë. Lojërat LA28 pritet të krijojnë mbi 100 mijë vende pune me kohë të plotë, si dhe mbi shtatë miliardë dollarë në paga dhe 1.5 miliardë dollarë në të ardhura tatimore federale. Këto ndikime ekonomike shtrihen shumë përtej kufijve të qytetit të LA-së. Komiteti Olimpik i Holandës tashmë ka zgjedhur Mishën Vijehon si vendin kryesor të stërvitjes para lojërave, ndërsa Anaheimi do të jetë shtëpia e volejbollit olimpik.
Së bashku, këto dy ngjarje pritet të gjenerojnë më shumë prodhim ekonomik sesa PBB-ja totale e Vermontit në vitin 2023.
Faktori kryesor i kësaj rritjeje ekonomike është dallimi i madh në shpenzimet mes udhëtarëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë. Sipas Shoqatës Amerikane të Udhëtimit, vizitorët nga jashtë shpenzojnë mesatarisht katër mijë dollarë për udhëtim në Shtetet e Bashkuara - mbi tetë herë më shumë se udhëtarët vendas.
Sigurimi i këtyre përfitimeve për komunitetet tona varet nga aftësia jonë për të mirëpritur tifozët ndërkombëtarë në qytetet mikpritëse. Prandaj, mund ta paramendoni shqetësimin tonë kur zbuluam se sistemi ynë i vizave nuk është i përgatitur që këto lojëra të jenë të suksesshme.
Aktualisht, ka vonesa të mëdha në lëshimin e vizave për vizitorë nga 151 vende të cilat kërkojnë vizë për të hyrë në ShBA. Për shkak të kërkesës së lartë për viza dhe burimeve të kufizuara në ambasadat amerikane jashtë vendit - ku çdo aplikant duhet të intervistohet dhe vlerësohet - kohët e pritjes për takime për vizë mund të zgjasin disa muaj ose mbi një vit.
Shkalla e këtij problemi është e jashtëzakonshme: Rreth gjashtë milionë tifozë pritet të udhëtojnë në ShBA për Kupën e Botës FIFA 2026, të ndjekur edhe nga 15 milionë vizitorë për Lojërat Olimpike të Verës 2028.
Nga 42 vendet e kualifikuara deri tani, tifozët nga Algjeria, Kanadaja, Kolumbia, Meksika dhe Paraguai të cilët dëshirojnë të udhëtojnë në ShBA për të mbështetur ekipet e tyre, përballen me kohë pritjeje për viza më të gjata se gjashtë muaj - aq kohë sa ka mbetur deri te ndeshja e parë e Kupës së Botës 2026. Të tjerët që nuk planifikojnë udhëtimin disa muaj më parë, mund të përballen me vonesa të ngjashme.
Administrata Trump nisi të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përballuar këtë sfidë. Pas një letre dypartiake që drejtuam ne në maj, presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për krijimin e një Task-Force Federale për Lojërat Olimpike që ka qëllim thjeshtimin e procesit të pajisjes me leje dhe viza përpara LA28-shit. Administrata gjithashtu ka nisur me FIFA PASS për të përshpejtuar takimet për viza për Kupën e Botës dhe për të shkurtuar kohët e pritjes.
Këto veprime janë thelbësore për të përmirësuar kapacitetin dhe për të përmbushur kërkesën, por nuk duhet të ndalemi me kaq.
Nëse qasemi ndaj dhjetë vjetëve të ardhshëm sikur ndaj një periudhë normale, ky do të ishte një gabim i kushtueshëm. Rrezikojmë sabotimin e vetes dhe dështimin në skenën ndërkombëtare, nëse Departamenti i Shtetit nuk është në gjendje të përballojë fluksin e aplikimeve për viza për t’u siguruar që komunitetet tona do t’i të marrin përfitimet për të cilat kanë punuar shumë dhe të cilat u janë premtuar.
Përballimi i kësaj “bombe me sahat” kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar - diçka në të cilën Amerika shkëlqen.
Hapi i parë është të sigurohemi që misionet tona diplomatike jashtë vendit do t’i kenë burimet e nevojshme për të reflektuar prioritetin tonë kryesor: inkurajimin e pjesëmarrjes ndërkombëtare në Kupën e Botës, Lojërat Olimpike dhe përtej tyre.
Hapi tjetër është zbatimi i zgjidhjeve inovative që thjeshtojnë procesin e vizave. Në letrën tonë të majit, propozuam disa masa kyçe: të reduktohen kërkesat e dyfishta për viza për pjesëmarrësit e akredituar, të zgjerohet kapaciteti i përpunimit në konsullatat amerikane në vendet me kërkesë të lartë tifozësh, si dhe të caktohet një staf diplomatik i dedikuar për trajtimin e aplikimeve për viza që kanë të bëjnë me ngjarjet sportive.
Ndeshja e parë e Kupës së Botës FIFA 2026, në tokën amerikane, është më pak se 200 ditë larg. Se a jemi të aftë ta mirëpresim botën - kjo varet nga hapat tanë të ardhshëm.
Si ligjvënëse të përkushtuara për të çliruar potencialin e plotë të Dekadës Amerikane të Sportit, jemi të gatshme të punojmë me presidentin Donald Trump, sekretarin Marco Rubio dhe kolegët tanë nga të gjitha partitë për të qenë të sigurta që këto lojëra historike të jenë sukses i jashtëzakonshëm. Koha për veprim urgjent dhe të koordinuar është tani. Le të fillojmë me punën. /Telegrafi/

















































