Ndalesë për hyrje dhe dalje me transport publik, reduktim ose mbyllje e fabrikave dhe shitoreve, ekip mjekësor shtesë dhe numër më të madh të testeve, do të ketë nga sot në Kumanovë, si pjesë e ashpërsimit të masave që i solli qeveria, për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.

Është shfuqizuar edhe transporti publik hekurudhor dhe ai ndërurban. Qeveria ju rekomandon kompanive me prodhimtari të madhe, ta riadaptojnë punën e tyre me numër të reduktuar të të punësuarve ose të mbyllen plotësisht, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti për Shëndet Publik janë angazhuar që të ndërmarrin masa më intensive në gjithë rajonin e Kumanovës, pasi një nga pacientët që ndërroi jetë është nga ky qytet, por edhe një numër i të prekurve me coronavirus janë prej atje.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, dje deklaroi se me këto masa duhet të ndërpriten lëvizjet brenda qytetit dhe të Kumanovës me komunat tjera, me qëllim që të jetë një formë karantine./Telegrafi/