LAJMI I FUNDIT:

Kukës, flutura aziatike dëmton qindra hektarë pyje

Kukës, flutura aziatike dëmton qindra hektarë pyje

Jemi në pranverë e duhej të kishte gjelbërim, por në masivin pyjor te bushit mbizotëron ngjyra kafe. Flutura aziatike ka bërë kërdinë duke dëmtuar tërësisht një sipërfaqe të madhe.

“Në njësinë administrative Sorroj dhe një pjesë e zonës së Kalimashit është e prekur nga flutura aziatike apo flutura e Bushit dhe ka dëmtuar një sasi të konsiderueshme gati 900 hektarë”, tha inxhinieri i pyjeve, Ilmi Gjana.

Inxhinier Ilmi Gjana thotë se flutura aziatike është një nga dëmtuesit më të mëdhenj dhe me masë shumimi që kalon në katër brezni në vit.

Veç kësaj, autonomia e lëvizjes së një fluture nga njeri vend në tjetrin është 15 kilometra. Shqetësim kryesor mbetet kalimi i infeksionit nga pyjet me bush në frutikulturë.

“Dëmtimi është i madh sepse flutura mund të lëvizë 15 kilometra nga një zonë në një zonë tjetër”, tha Gjana.

Inxhinier Ilmiu thotë se insekti luftohet edhe me mënyra biologjike edhe kimike përmes pesticideve por veç kostove financiare, ka efekte negative te bletët apo edhe banorët e zonës.

“Jo vetëm që ka dëmtuar pyjet por kjo infekton edhe pemët frutore”, tha inxhinier Gjana.

Rigjenerimi është shume i vështirë pasi demi është ne me shume se 70 %, por faktor tjetër që kufizon rigjenerimin ka të bëje me temperaturat e larta dhe thatësirën gjatë verës. Bushi është lloj druri që përdorej gjerësisht në industrinë përpunuese, kryesisht punimeve artistike.