LAJMI I FUNDIT:

Kujtesë: 30 vjet nga vdekja e Lorenc Antonit

Kujtesë: 30 vjet nga vdekja e Lorenc Antonit

Më 21 tetor 1991 është ndarë nga jeta kompozitori, dirigjenti dhe etnomuzikologu shqiptar Lorenc Antoni.

Antoni lindi në Shkup më 21 tetor 1901. Studioi në Fakultetin Filozofik në Shkup dhe muzikën e ka mësuar privatisht në qytetin e lindjes dhe në Beograd.


Veprimtarinë muzikore e fillon së pari si dirigjent koresh. Jo shumë vonë fillon të kompozojë edhe pjesë të ndryshme, veçanërisht për orkestra mandolinash dhe tamburash, të cilat i udhëhiqte. Bashkë me kompozime merret edhe me mbledhje të folklorit dhe me etnomuzikologji, kurse veprimtarinë si pedagog muzike e fillon më vonë. Këto katër veprimtari Lorenc Antoni i zhvilloi në Shkup deri në vitin 1941.

Në prill të vitit 1941 zhvendoset në Ferizaj e pastaj në Prizren.

I vetmi dirigjent koral shqiptar atëherë ishte Lorenc Antoni. Fondi tepër i vogël i muzikës korale që kishte kompozuar qysh para lufte i shërbeu për të filluar punën me kore. Për punën e mëtejshme iu desh të krijojë një literaturë të re. Për nevojat e korit të Shoqërisë Kulturore Artistike “Agimi” në Prizren, të cilin e udhëhoqi deri në gjysmën e vitit 1956, kompozoi një varg veprash.

Më 1948, kur u hap shkolla e parë e muzikës në Prizren, Lorenc Antoni qe drejtori i parë i saj, deri më 1956. Pas kalimit në Radio Prishtinë, si redaktor i muzikës popullore, udhëheq shumë kohë edhe korin e saj. Më se 40 vjet ka dirigjuar kore të ndryshme në Shkup, Ferizaj, Prizren e Prishtinë e gjithkund ka korrë suksese të dukshme.

Antonit iu desh që ta hapte rrugën e vështirë të shkencës dhe të artit muzikor dhe të zgjidhë shumë e shumë probleme lidhur me jetën muzikore. Kontributi i tij është aq më i vlefshëm dhe merita e tij është po aq e madhe.