LAJMI I FUNDIT:

Kujdesi ndaj qenve të moshuar

Kujdesi ndaj qenve të moshuar

Edhe pse qenit tuaj mund të jenë duke i rënë energjitë, me një trajtim veterinar të rregullt, kujdes të përditshëm dhe ushqim të përshtatshëm, qeni plak mundet ende të bëjë një jetë të lumtur e të shëndetshme.

Megjithatë, nuk mund ta injoroni faktin se gjendja fizike e tij do të ndryshojë me kalimin e viteve. Funksione të rëndësishme trupore, që zakonisht merren për të mirëqena, mund të nisin të shuhen pak e nga pak apo të mos funksionojnë më së miri.

Ashtu si edhe njerëzit, shqisat e tyre fillojnë të degradojnë duke çuar dobësim të shikimit, dëgjimit, shijimit dhe nuhatjes. Oreksi mund të bjerë dhe qentë shumë të vjetër zakonisht dobësohen duke bërë më të dukshme shtyllën kurrizore dhe brinjët.

Sa vjeç është qeni juaj?


Qentë shpesh janë më të vjetër seç ne mendojmë se janë, veçanërisht kur i kemi patur që këlysh e jemi mësuar me sjelljen e tyre energjike.

Qentë e vegjël jetojnë më gjatë, ndërkohë racat e mëdha kanë relativisht jetëgjatësi më të shkurtër (psh. një Great Dane, konsiderohet “i vjetër” në moshën 6 vjeç).

Përveç racës së qenit, faktorë të tjerë specifik të lidhur me stilin e jetesës si dieta, stërvitja dhe historiku shëndetësor, ndikojnë në jetëgjatësinë e qenve, transmeton Telegrafi.

Shenjat e një qeni që po plaket

Mënyra më praktike për të thënë se një qen po plaket është duke vrojtuar sjelljen dhe pamjen e tij. Pra, më thjeshtë, për sa vjeç sillet, ngjan dhe ndihet qeni juaj?

• Niveli i energjisë fillon të bjerë
• Shenjat e dobësimit të gjymtyrëve fillojnë të bëhen më të dukshme dhe qentë kanë vështirësi të ngrihen në këmbë pas një kohë qëndruar ulur apo pas një shëtitjeje të gjatë.
• Lëkurë e trashë, më pak elastike
• Gëzof më i ashpër dhe i hollë me zona të zhveshura apo qime të zbardhura.
• Shurdhim, vihet re mos reagim ndaj komandave të ndryshme apo kur thirren në emër.
• Probleme me dhëmbët dhe mishin e tyre, shikoni për rënie të ushqimit nga goja apo pështymë të tepërt dhe goditje të gojës me putër. E ënjtura poshtë syve mund të jetë shenjë e qelbëzimit të ndonjë dhëmbi dhe kërkon trajtim nga veterineri.
• Mund të shfaqen lytha, gjëndra yndyre madje edhe tumore. Mbajini këto nën kontroll me veterinerin tuaj pasi zbulimi i hershëm i tyre mund të shpëtojë jetën e qenit tuaj.
• Etje e tepërt dhe urinim i shpeshtë apo i pakontrolluar.
• Hutim apo mosnjohje e ambientit përreth.
• Rënie oreksi.
• Depresion, mos bindje dhe me raste sjellje e dëmshme.
• Sy të mjegulluar me çehre të kaltër, të cilët janë normale dhe nuk pengojnë shikimin. Megjithatë, mjegullimi dhe rritja e katarakteve të bardha mund të çojë në verbim. veterineri mund t’ju ndihmojë të bëni diferencën.
• Një tendencë për të fjetur më shumë gjatë ditës e më pak gjatë natës. Disa qen mund të vërdallisen natën nëpër shtëpi si pasojë e dhimbjes së nyjeve, pleqërisë apo vetmisë.
• Shtimi në peshë – një problem i veçantë me qentë e rritur.

Do të vijë edhe dita kur të dalloni shenjat e para të plakjes së qenit tuaj, por kjo nuk do të thotë se tashmë ju duhet ta mbështillni atë me një batanije pambuku e të filloni të shqetësoheni. Thjesht do t’ju duhet të riorganizoni rutinën tuaj e të merrni disa masa sigurie.

Kujdesi i përshtatshëm mjekësor

Kontrollet e rregullta janë të detyrueshme për qentë e moshuar. Përveç vaksinimit vjetor dhe kontrolleve, flisni me veterinerin tuaj për ndonjë ekzaminim special për shkak të moshës. Gjithashtu, përpiquni të mbani parasysh ndonjë shenjë paralajmëruese dhe raportojeni tek veterineri.

Stërvitje e mirë

Obeziteti dhe artriti janë dy nga problemet më të zakonshme që ndeshen tek qentë e moshuar, prandaj një stërvitje e rregullt është shumë e rëndësishme. Megjithatë, nëse qeni juaj vuan nga artriti, konsultohuni me veterinerin përpara se të filloni një program stërvitjeje.

Rutina e përditshme

Një rutinë ditore e qëndrueshme është e rëndësishme për shëndetin fizik, mendor dhe emocional të qenit tuaj të moshuar, prandaj mundohuni t’i siguroni atij rehati dhe siguri. Si pjesë të rutinës ditore, mund të planifikoni një seancë special krehjeje të paktën një herë në javë.

Larja rregullisht e qenit tuaj përbën gjithashtu një fazë të rëndësishme, pasi kjo është një mundësi e mirë për t’i dhënë atij të gjithë dashurinë për të cilën ka nevojë.

Dhëmbë dhe mishra të shëndetshëm

Një kontroll dentar rutinë tek veterineri është shumë e rëndësishme, pasi qentë e moshuar janë më tepër pre e sëmundjeve të mishit të dhëmbëve dhe e qelbëzimit të tij. Gjithashtu një ide e mirë është që këtë kontroll ta ushtroni edhe ju tek qeni juaj rregullisht.

Mbështetje emocionale

Përpiquni të jeni të ndjeshëm ndaj asaj se çfarë po përjeton qeni juaj dhe të kuptoni se ai po i nënshtrohet një sërë ndryshimesh psikologjike. Kujdesi i përditshëm ndaj tij kërkon një durim pak më të madh nga ana juaj. Angazhimi dhe kujdesi juaj plot dashuri ndihmojnë shumë në krijimin e një cilësie të mirë jete për qenin tuaj në këto vite pleqërie.

Ushqimi për qentë e moshuar

Përveç sigurimit të kujdesit të rregullt veterinar, duhet të kuptoni edhe ndryshimet në nevojat ushqimore që ka tashmë qeni juaj. Në përgjithësi, qentë e moshës 7 vjeçare e më shumë fillojnë ta marrin jetën pak më lehtë e për pasojë nevojat e tyre ushqimore ndryshojnë. Ata janë më pak aktivë dhe kanë një metabolizëm të ngadaltë, prandaj kërkohen më pak kalori. Për të ndihmuar në mbajtjen e të gjithë trupit në formë, kërkohen protein të cilësisë së lartë dhe lehtësisht të tretshme.

Një dietë e mirë për qentë e moshuar duhet të përmbajë:

• Proteina të koncentruara, cilësore, pak të yndyrshme
• Karbohidrate lehtësisht të tretshme për sigurim energjie
• Mineralet kryesore për të mbështetur plakjen e nyjeve
• Vitamina, të cilat së bashku me proteinat ndihmojnë në luftimin e infeksioneve me të cilat mund të ndeshet trupi pasi sistemi imunitar dobësohet.

Ushqimet e prodhuara për qentë e moshuar janë të tillë që reflektojnë këto ndryshime në kërkesat e tyre ushqimore duke bërë të mundur që qeni juaj të mund t’i shijojë vaktet e plota pa u shqetësuar për abuzimet me ushqimin.

Duhet ta ushqeni qenin tuaj 1-2 herë në ditë, por mbase ai mund të preferojë të hajë vakte më të vogla e më shpesh. Kjo është më se normale, pasi është më e lehtë të tresësh disa vakte të vogla se sa 1-2 vakte të mëdha. /Telegrafi/