Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka shprehur ngushëllimet e tij të thella pas tragjedisë që ndodhi sot në qytetin Graz të Austrisë, ku mbetën të vrarë dhjetë fëmijë, në mesin e tyre edhe një vajzë nga Kosova, e identifikuar si Lea Bajrami nga Komuna e Vitisë.

Përmes një mesazhi publik, Haliti ka shprehur dhimbjen e thellë për këtë humbje tragjike dhe ka dërguar ngushëllimet e tij familjes së viktimës.


"Me pikëlloi pa masë lajmi për humbjen tragjike të vajzës suaj Leas nga Komuna e jonë, e cila humbi jetën në sulmin e rëndë që ndodhi sot në qytetin e Grazit në Austri. Humbja e një jete të re, me ëndrra dhe shpresë për të ardhmen, është një plagë që lë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e secilit prej nesh," ka shkruar Haliti.

Ai theksoi se në emër të tij personal dhe të Komunës së Vitisë, janë pranë familjes Bajrami në këtë moment të rëndë, duke u lutur që Zoti t’u japë forcë për ta përballuar këtë dhimbje.

Ngushëllime të veçanta, Haliti ka dërguar edhe për kryetaren e qytetit të Grazit, Elke Kahr.

"Në emër të Komunës së Vitisë dhe qytetarëve tanë, ju shpreh ngushëllimet tona të thella për ngjarjen tragjike që ndodhi sot në qytetin tuaj, ku për fat të keq humbi jetën edhe një vajzë e re nga komuna jonë së bashku me 9 fëmijë të tjerë. Ndajmë me ju dhe qytetarët e Grazit dhimbjen e kësaj tragjedie dhe vlerësojmë angazhimin tuaj institucional për sigurinë e të gjithë qytetarëve, pa dallim prejardhjeje," ka shkruar Haliti.

Ngjarja tragjike ka prekur opinionin publik në Kosovë dhe Austri, ndërsa autoritetet janë në ndjekje të zbardhjes së plotë të rastit./Telegrafi/